OKB: Ushtria izraelite goditi sërish pozicionin tonë në Libanin jugor

schedule21:58 - 16 Tetor, 2024

schedule 21:58 - 16 Tetor, 2024

Helmetat blu të OKB-së kanë denoncuar një sulm të ri të Izraelit në Liban. Siç tha një përfaqësues i misionit të Kombeve të Bashkuara për të promovuar bisedimet e paqes, një pikë vëzhgimi e UNIFIL u godit nga zjarri i tankeve izraelite mëngjesin e së mërkurës.

Sulmi ka ndodhur në afërsi të fshatit Kafer Kela, në jug të Libanit, nga forcat izraelite.

“Janë shkatërruar dy kamera dhe godina ka pësuar një goditje të rëndë. Ju kujtojmë se IDF duhet të garantojë sigurinë e personelit të Kombeve të Bashkuara dhe të respektojë faktin që objektet tona nuk duhet të cenohen”, theksuan përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara.

Forcat izraelite qëlluan gjithashtu një javë më parë në dy pozicione të përdorura nga paqeruajtësit e OKB-së në Libanin jugor.

UNIFIL tha se dy prej paqeruajtësve të saj u plagosën në një nga incidentet, kur një tank izraelit qëlloi në një pikë vëzhgimi në selinë kryesore të forcës në Nakura, duke goditur kullën dhe duke shkaktuar shembjen e saj./abcnews.al