Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon që ushtria e Mianmarit të gjykohet për gjenocid lidhur me krimet e kryera ndaj muslimanëve Rohingia. OKB posedon edhe një listë me emrat e atyre që kanë kryer krime të rënda.
Misioni i Pavarur Ndërkombëtar për Hetime për Mianmarin, i themeluar nga Kombet e Bashkuara kërkoi ndjekjen penale në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit për gjenocid dhe krime lufte kundër myslimanëve Rohingya dhe pakicave të tjera. Pas një pune rreth 18 mujore, misioni ka përgatitur një raport në lidhje me zbulimet, të cilin e prezantoi në 1 vjetorin e masakrës ndaj së cilës iu nënshtruan myslimanët e Arakanit në Mianmar.
Në raportin e misionit është kërkuar fillimi i hetimeve ndaj shefit të shtabit të përgjithshëm të Mianmarit, dhe gjeneralëve të shumtë të nivelit të lartë të ushtrisë për shkak të gjenocidit në veri të Arakanit dhe krimeve të luftës dhe veprave penale kundër njerëzimit në provincat Kaçin dhe Shan në veri të shtetit. Në raport theksohet se myslimanët u janë nënshtruar shkeljeve të hapura të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve nga ushtria e Mianmarit dhe forcave tjera të sigurisë.
“Detyrimet ushtarake nuk mund të justifikojnë kryerjen e vrasjeve pa dallim, përdhunimet kolektive, sulmet ndaj fëmijëve dhe djegiet e tërësishme të fshatrave”, thuhet në raport. Gjithashtu thuhet se gjenocidi në rajon ka ngjashmëri me gjenocidet tjera në botë për nga “natyrshmëria”,”serioziteti” dhe “qëllimi”.
Më tej në raport thuhet se OKB-ja posedon një listë të gjatë në lidhje me pjesëtarët e ushtrisë të cilët kanë kryer gjenocid por që aktualisht kjo listë do të mbahet në fshehtësi. Raporti i detajuar i Misionit do t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 18 shtator. Që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, ishin të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin e komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me imazhet e tyre satelitore kanë provuar se qindra fshatra janë shkatërruar. /abcnews.al