Liderët talibanë po tentojnë që të institucionalizojnë diskriminimin gjinor në shkallë të gjerë e sistematik dhe dhunën kundër grave dhe vajzave afgane, paralajmëruan ekspertët për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Përmes një deklarate të lëshuar më 17 janar, 36 ekspertë të OKB-së thanë se janë ndërmarrë një sërë hapash kufizuese që prej se talibanët morën kontrollin e Afganistanit në muajin gusht. Kufizimet, veçanërisht ato që kanë të bëjnë për gratë dhe vajzat, kanë ngritur alarmin, vlerësuan ekspertët.
“Ne jemi të shqetësuar me këto përpjekje të vazhdueshme dhe sistematike për përjashtimin e grave nga sfera sociale, ekonomike dhe politike në mbarë vendin”, thanë ekspertët.
“Këto shqetësime përkeqësohen në rastet e grave nga minoritetet etnike, fetare dhe gjuhësore, siç janë komunitetet hazara, taxhik, hindu dhe komunitetet e tjera, që i bën më të cenueshme në Afganistan”, u tha në deklaratë.
Shumë grave në Afganistan u është ndaluar që të kthehen në vendet e tyre të punës. Shoferët e autobusëve dhe taksive u është ndaluar që të transportojnë gratë, nëse ato nuk janë të veshura me shami islame. Po ashtu, shoferët e kanë të ndaluar që të transportojnë gratë e pamartuara në një distancë prej më shumë se 70 kilometrash.
“Këto politika kanë ndikuar edhe në aftësinë e grave për të punuar dhe për të siguruar jetesën e tyre, duke i shtyrë ato më tej drejt varfërisë”, thanë ekspertët.
Ekspertët e OKB-së po ashtu shprehën shqetësimin për ndalimin e vajzave që të vijojnë shkollimin e mesëm.
Javën e kaluar, organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch ngriti alarmin lidhur me përkeqësimin e të drejtave të grave dhe vajzave që prej marrjes së pushtetit nga talibanët.
Gratë në Afganistan kanë organizuar protesta duke kërkuar të drejta për arsim, punë dhe liri, por këto protesta talibanët vazhdimisht i kanë shtypur duke i rrahur pjesëmarrësit, duke i kërcënuar, por edhe duke i arrestuar protestuesit. /REL/