OKB paralajmëron Izraelin kundër transferimit me forcë të civilëve nga veriu i Gazës

schedule22:06 - 17 Tetor, 2024

schedule 22:06 - 17 Tetor, 2024

Shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, paralajmëroi Izraelin se çdo “transferim me forcë e në shkallë të gjerë” i civilëve nga veriu i Gazës, do të përbënte krim lufte nëse nuk bëhet për “arsye të domosdoshme ushtarake”.

“Urdhrat për evakuim që lëshohen nga Izraeli duket se janë të dizajnuara që ta shkëpusin krejtësisht Gazën veriore nga pjesa tjetër e territorit”, tha Turk gjatë një konference për media në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Përderisa bombardimet dhe sulmet e tjera po vazhdojnë, ka shqetësime serioze për një transferimin me forcë e në shkallë të gjerë të civilëve që nuk përmbush kërkesat sipas ligjit ndërkombëtar për evakuimin mbi arsye të domosdoshme ushtarake”, tha ai.

“Transferimi me forcë i një pjese të madhe të popullsisë së Gazës veriore do të përbënte krim lufte”.

Izraeli po vazhdon ofensivën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që kur ky grup kreu sulm ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.