OKB: Nuk tërhiqemi nga Libani. Netanyahu ripërsërit thirrjet për largimin e misionit paqeruajtës

schedule15:44 - 15 Tetor, 2024

schedule 15:44 - 15 Tetor, 2024

Pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ripërsëriti thirrjen e tij për largim të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara nga jugu i Libanit ndërsa vendi i tij lufton kundër Hezbollah, OKB thotë se UNIFIL do të vijojë të operojë në jug të Libanit në bazë të mandatit të tyre. Në një konferencë për shtyp, nënsekretari i Përgjitshëm i OKB-së për operacionet e paqes u shpreh se Këshilli i Sigurimit ka vendosur vijimin e mandatit për UNIFIL.

“Tani siç ju e dini vendimi është marrë që të gjithë trupat paqeruajtës të UNIFIL të qëndrojnë në pozicionet e tyre, duke dale kështu kundër thirrjeve të bëra nga Izraeli për largim të trupave tanë. Vendimi mu konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres. Siguria e trupave tanë është prioriteti ynë, por ka dhe element të tjerë të rëndësishëm siç është edhe përgjegjësia që ne kemi për të përmbushur mandatin tone dhe për të garantuar siguri.”, tha Jean Pierre Lacroix, zëvendës sekretari i OKB për operacionet e paqes.

Konfirmimi i Kombeve të Bashkuara për të vijuar misionin e tyre paqeruajtës vjen pasi luftimet intensive në jug të Libanit dhe sulmet e ushtrisë izraelite kanë lënë të plagosur 15 trupa paqeruajtës të misionit UNIFIL.

Këto akte kanë nxitur reagimin e komunitetit ndërkombëtar që ka akuzuar Tel Avivin Zyrtar, ndërsa udhëheqësit izraelit thonë se terroristët e Hezbollah po fshihen pas Kombeve të Bashkuara.

Ushtria izraelite ka vijuar sulmet intensive në Liban duke kryer mbi 200 sulme përgjatë 24 orëve të fundit dhe si pasojë e këtye sulmve kanë humbur jetën mbi 20 persona.

Nga ana tjetër luftimet intensive vijojnë edhe në Rripin e Gazës ku në 24 orët e fundit kanë mbetur të vrarë më shumë se 50 persona.
Hamas dhe Hezbollah, dy grupet ndaj të cilëve Izraeli ka hapur luftë përgjatë vitit të fundit janë grupe militante të mbështetura nga Irani. Përtej luftës në dy fronte Izraeli po përgatitet për kakmarrje edhe ndaj Teheranit zyrtar mbi sulmin e disa ditëve më parë ku mbi 180 raketa balistike u hodhën mbi Izrael. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi këtë të martë se Izraeli do të marrë mendimin e Shteteve të Bashkuara mbi mënyrën sesi do të hakmerret ndaj Iranit, por në përfundim do të veprojë bazuar në interesat e tyre kombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!