Kombet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër vendet që po përdorin pandeminë për të justifikuar shtypjen ndaj disidentëve.
Duke folur në një konferencë, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres akuzoi autoritetet në një numër vendesh se po përdorin kufizimet e Covid-19 për të dobësuar opozitën.
“Duke përdorur pandeminë si pretekst, autoritetet në disa vende kanë vendosur masa të ashpra sigurie dhe masa emergjente për të shtypur disidentët, duke penguar disa nga liritë themelore, dhe kufizimin e veprimtarive të organizatave joqeveritare,” tha ai, pa përmendur vendet.
Shefi i OKB-së tha se “kufizimet e lidhura me pandeminë po përdoren për të prishur proceset zgjedhore, për të dobësuar zërat e opozitës dhe për të shtypur kritikët”.
Në të njëjtën kohë, ai tha, “mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarë, avokatë, aktivistë politikë, madje edhe profesionistë mjekësorë po arrestohen, ndiqen penalisht dhe u janë nënshtruar kërcënimeve dhe mbikëqyrjeve për kritikat e menaxhimit të pandemisë nga ana e qeverisë – ose nga mungesa e tyre”./abcnews.al