OKB kërkon lirimin e robërve nga konflikti në Nagorno Karabak

schedule17:02 - 1 Shkurt, 2021

schedule 17:02 - 1 Shkurt, 2021

Ekspertët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara kanë bërë thirrje për lirimin e shpejt të të burgosurve të luftës dhe të rrëmbyerve tjerë nga Armenia dhe Azerbajxhani.

Në fund të muajit shtator të vitit 2020 deri në fillim të nëntorit, Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan luftime për rajonin Nagorno Karabakut.

Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara tha përmes një deklarate se të dyja palët duhet të kthejnë trupat e viktimave në mënyrë që ato të varrosen duke respektuar “zakonet kulturore”.

“Të gjithë ata që nuk janë të lirë për shkak të konfliktit duhet të kthehen në shtëpitë e tyre, dhe të afërmit e të vrarëve duhet të jenë në gjendje të marrin mbetjet mortore të të dashurve të tyre, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar në 9 nëntor 2020″, thanë ekspertët, duke kërkuar nga palët që të kryejnë hetime të hollësishme, të shpejta, të pavarura dhe të paanshme në lidhje me akuzat për shkelje serioze të të drejtave të njeriut të kryera gjatë konfliktit.

Lufta gjashtë javore mes Armenisë dhe Azerbajxhanit përfundoi me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia më 9 nëntor 2020.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth saj u vendosën nën administrimin e Azerbajxhanit pas gati 30 vjet kontrolli nga armenët etnikë.

Më shumë se 4.700 njerëz u vranë nga shpërthimi i dhunës.

Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, e refuzojnë udhëheqësinë e Azerbajxhanit./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!