Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se Izraeli ka dëmtuar ose shkatërruar rreth 62 për qind të shtëpive në Gaza me sulmet që ka kryer që nga 7 tetori.
Në sulmet në të cilat forcat izraelite hodhën dhjetëra mijëra tonë bomba në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 33 mijë palestinezë dhe duke plagosur më shumë se 75 mijë, u shkatërruan shumë vendbanime civile, përfshirë spitale, shkolla, xhami, kisha dhe struktura historiko-kulturore.
Ushtria izraelite vazhdon të sulmojë shtëpitë si dhe vendbanimet civile dhe infrastrukturën me sulme pa dallim në Gaza.
Në postimin e bërë në llogarinë X të UNRWA-së në mediat sociale thuhet se “(sulmet e Izraelit në Gaza) Lufta e vazhdueshme ka dëmtuar ose shkatërruar rreth 62 për qind të shtëpive në Gaza”.
“Izraeli synon infrastrukturat kritike, përfshirë ndërtesat e OKB-së, ku u strehuan familjet e zhvendosura që ikën nga sulmet. Më shumë se 75 për qind e popullsisë është zhvendosur, shumica e tyre disa herë. Kur do të përfundojë kjo?”, thuhet në postimin e UNRWA-së.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, u vranë 33.037 palestinezë, përfshirë të paktën 14.500 fëmijë dhe 9.560 gra, dhe u plagosën 75.668 persona.