OKB: Dhuna e burrave ndaj grave është gjithashtu një pandemi

schedule22:01 - 25 Nëntor, 2020

schedule 22:01 - 25 Nëntor, 2020

Në të gjithë botën të mërkurën u shënua Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Në shumë vende gratë thanë se bllokimet për shkak të pandemisë, kishin rritur nivelin e dhunës, duke i lënë ato të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh.

Kombet e Bashkuara thanë se, që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, të gjitha llojet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht dhuna në familje, ishin intensifikuar.

“Dhuna e burrave ndaj grave është gjithashtu një pandemi. Ajo gjithashtu ka nevojë për reagimin tonë global dhe të koordinuar”, tha drejtorja ekzekutive e agjencisë së Kombeve të Bashkuara “UN Women”, Phumzile Mlambo-Ngcuka në një deklaratë.

Spanja mbajti një minutë heshtje për gratë e vrara dhe në Portugali, organizata vëzhguese OMA, tha se deri më tani, gjatë këtij viti, 30 gra ishin vrarë, gjysma e tyre viktima të dhunës në familje.

Ministri i Brendshëm i vendit, Eduardo Cabrita, tha se kishte një rënie prej 6% të numrit të ankesave në lidhje me dhunën në 10 muajt e parë të vitit 2020 nga një vit më parë. Kjo, sipas tij, tregon se gratë e kanë pasur më të vështirë gjatë izolimit të kërkojnë ndihmë.

Në Gjermani, kancelarja, Angela Merkel, tha se “statistikat tregojnë se çdo 45 minuta një grua në vendin tonë sulmohet nga partneri i saj aktual ose nga ish-partneri”.

“Këto janë fakte mizore. Çdo rast i vetëm tregon një histori të tmerrshme. Ne kurrë nuk duhet ta kthejmë kokën anash kur vajzat ose gratë kërcënohen me dhunë ose sulmohen”, tha ajo. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!