OKB: Afër 300 fëmijë vdiqën gjatë kalimit të Mesdheut

schedule14:48 - 14 Korrik, 2023

schedule 14:48 - 14 Korrik, 2023

Kombet e Bashkuara thanë se 289 fëmijë kanë vdekur gjatë pjesës së parë të vitit 2023 gjatë tentimit për të kaluar Detin Mesdhe për në Evropë.

Kjo shifër është dyfish me vdekjet e regjistruara në periudhën e njëjtë të vitit 2022, tha agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF. Kjo agjenci kërkoi që fëmijëve që kërkojnë mbrojtje në Evripë t’iu ofrohet në rrugë e sigurt.

Venera Knaus, udhëheqëse në UNICEF për migrim dhe zhvendosje, tha se shifrat reale ka shumë të ngjarë që të jenë më të larta për shkak se gjatë fundosjeve të anijeve në Mesdheun qendror shpesh nuk ka të mbijetuar ose viktimat nuk regjistrohen.

“Numri i fëmijëve që kanë humbur jetën e tyre në tentim për të kaluar Detin Mesdhe për të arritur në Evropë është dyfishuar në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me peridhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha ajo.

“Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ne vlerësojmë se 11.600 fëmijë kanë kaluar detin – sërish, pothuajse dyfish më shumë sesa në periudhën e njëjtë më 2022”.

UNICEF tha se në tre muajt e parë të vitit 2023, afër 3.300 fëmijë – 71 për qind e të gjithë fëmijëve që kanë arritur në Evropë përmes rrugës mesdhetare – kanë qenë të pashoqëruar apo të ndarë nga familjarët e tyre.

Kjo shifër po ashtu është tri herë më lartë sesa në vitin paraprak.

“Këta fëmijë duhet ta dinë se nuk janë vetëm. Liderët botërorë duhet që menjëherë të veprojnë për të treguar se jeta e fëmijëve është e vlefshme, të veprojnë drejt një zgjidhjeje efektive për këtë situatë”, tha Knaus./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!