OKB: 40 milionë dollarë ndihma humanitare për Etiopinë

schedule23:47 - 15 Nëntor, 2021

schedule 23:47 - 15 Nëntor, 2021

Drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, njoftoi se ka caktuar 40 milionë dollarë të hënën për të mbështetur përpjekjet për ndihma jetësore dhe mbrojtjen e popullsisë civile në Etiopi, ndërkohë që atje vazhdon konflikti dhe thatësira.

Sipas njoftimit të OKB-së, 25 milionë dollarë do të merren nga Fondi Qendror i Reagimit ndaj Emergjencave, si dhe 15 milionë dollarë nga Fondi Humanitar për Etiopinë.

Fondet do të përdoren për të shtuar operacionet e emergjencës në rajonet veriore të vendit, ku forcat pro-qeveritare dhe rebelët Tigrayan luftojnë prej një viti. Rreth 2.2 milionë etiopianë janë zhvendosur në rajonin Tigray, sipas agjensisë lajmeve Reuters.

Fondi do të përdoret edhe për të mbështetur reagimin ndaj një thatësire në Etiopinë jugore.

Në një deklaratë, zoti Griffiths vuri në dukje se miliona njerëz në Etiopi jetojnë “në buzë të greminës”, ndërsa kriza humanitare vazhdon të thellohet.

“Në mbarë vendin, po shtohen nevojat. Fondet do të ndihmojnë organizatat e ndihmave të ndihmojnë njerëzit më në nevojë”, thuhet në deklaratën e zotit Griffiths.

Fondet e reja do të mbështesin agjencitë e ndihmave që ofrojnë asistencë jetësore për njerëzit e prekur nga konfliktet në rajonet Tigray, Amhara dhe Afar.

OKB-ja tha se financimi për rajonet e goditura nga thatësira në Somali dhe Oromia do të mundësojë sigurimin e ujit të pijshëm dhe do të parandalojë sëmundje si kolera. Gjithashtu, komunitetet blegtorale do të ndihmohen të ruajnë bagëtinë e tyre.

OKB-ja thotë se sidoqoftë duhen edhe 1.3 miliardë dollarë për të mbështetur plotësisht operacionet humanitare në Etiopi, 350 milionë prej të cilave do të jenë për reagimin në rajonin Tigray./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!