Numri i personave që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, dhunës dhe përndjekjes ka arritur në 114 milionë dhe ky numër po rritet për shkak se shtetet kanë dështuar që të luftojnë shkaqet, teksa palët e përfshira në luftëra po vazhdojnë të refuzojnë të respektojnë ligjin ndërkombëtar.
Kështu tha shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatë, Filipo Grandi. Ai kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që është përgjegjës për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke thënë se ka dështuar të përdorë zërin e tij për të tentuar që të zgjidhë konfliktet duke nisur nga Gaza e Ukraina dhe nga Sudani e deri në Kongo, Mianmar dhe pjesë të tjera.
Ai po ashtu akuzoi shtete, pa përmendur emra se po marrin “vendime shkurtpamëse të politikës së jashtme që shpesh janë të bazuara në standarde të dyfishta, që vetëm deklarojnë se respektojnë ligjin, por që Këshilli ka pak fuqi që të respektohet paqja dhe siguria”.
Grandi tha se mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar do të thotë se “palët në konflikt” kanë “ndaluari së respektuari ligjet e luftës” edhe pse disa prej tyre pretendojnë se po i respektojnë.
Rezultat i gjithë kësaj janë më shumë vdekje të civilëve, përdorimi i dhunës seksuale si armë në luftë, sulmet dhe shkatërrimet e spitaleve, shkollave dhe infrastrukturës tjetër civile dhe shënjestrimi i punëtorëve humanitarë, tha Grandi.
Grandi kritikoi Këshillin e Sigurimit për shkak të dhjetëra mijëra personave të vrarë në Gazë, Ukrainë, Sudan dhe në konflikte të tjera.
“Por, nuk është vonë që të vendosni fokusin dhe energjinë tuaj në krizat dhe konfliktet që janë ende të pazgjidhura, në mënyrë që ato të mos përkeqësohen dhe të shpërthejnë sërish. Nuk është vonë që të ndihmoni miliona persona që janë zhvendosur me forcë”, tha ai.
Këshilli i Sigurimit është shumë i polarizuar, teksa pesë shtetet që kanë fuqinë e vetos shpesh bllokojnë vendime.
Sa i përket luftës në Gazë, Këshilli nuk ka bërë thirrje për armëpushim, për shkak të kundërshtimit nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, sa i përket Ukrainës, Këshilli ka qenë joefektiv pasi që Rusia mund të përdorë veton për të bllokuar miratimin e çdo rezolute të mundshme./rel