OFL i ka dërguar forkularin e deklarimit tre personave të dënuar për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike duke iu kërkuar atyre që të konfirmojnë se pasurinë e kanë prej të ardhurave të ligjshme.
Kështu, siç mëson abcnews.al, formulari i është dërguar Afrim dhe Emiljan Keçit si edhe Erjon Gjinlijajt.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Emiljano Keçi u arrestua një vit më parë me 3 milion euro drogë në Bergamo të Italisë. Gjatë operacionit, policia i kapi edhe armë në banesë.
Ndërkohë, Afrim Keçi gjendet po ashtu i dënuar me disa vite burg për tafik droge në Itali. Disa vite më parë, policia e Durrësit kreu një aksion të bujshëm për arrestimin e tij pasi ishte dhënë një vendim gjykate me më shumë se 14 vite burg për trafik lëndësh narkotike.
Erjon Gjinlija u arrestua në vitin 2014 me 100 kilogram kanabis sativa në Durrës.
Njoftimi i OFL
OFL, 8 shtator
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
A. K., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
E. K., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
E. Gj., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. /abcnews.al

