OFL, Lleshaj: Pasuritë e kriminelëve do t’i përdorim për komisariate, shkolla, klinika

schedule13:04 - 18 Shkurt, 2020

schedule 13:04 - 18 Shkurt, 2020

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nga Elbasani ka deklaruar se OFL-ja po vazhdon normalisht punën me dërgimin e letrave për justifikimin e pasurisë, ndërsa sekuestrimet do bëhen me vendim gjykate. I pyetur se çfarë do të bëhet me pasuritë e sekuestruara,  ai tha se “kur të miratohet ligji, Ministria e Brendshme do të ketë detyrë që ti administrojë në funksion publik. Kur them funksion publik, besoj e kuptoni, shkolla, Qendra Shëndetësore, Komisariat policie etj”.

Pyetje: Zoti Lleshaj shohim që OFL ka zbarkuar edhe në qytetin e Elbasanit, janë dërguar formularët, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion a ka pasuri të sekuestruara, sa u takon këtyre elementeve?

Ministri Lleshaj: “Operacioni Forca e Ligjit” tashmë ka filluar aktivitetin në të gjithë Shqipërinë, është ende në hapat e parë, pra në fazën fillestare. Ndërkohë që do të ketë përshkallëzim të intensitetit të punës dhe të angazhimit të operacionit, në Elbasan dhe kudo tjetër. Nuk ka ndonjë objektiv selektiv, për arsye se i gjithë rrethi i personave që përfshihen nga ligji tashmë janë të përcaktuar nga vetë ligji.

Në qytetin e Elbasanit dhe në të gjithë Shqipërinë operacioni do të vazhdojë me intensitet të shtuar në mënyrë që të arrihet që brenda vitit, pra brenda afatit ligjor të përfundojë edhe adresimin e të gjithë personave që janë subjekt i këtij ligji.

Pyetja: Kemi pasuri të sekuestruar në Elbasan deri tani?

Ministri Lleshaj: Sekuestrimi sipas këtij ligji të sapo miratuar duhet të bëhet në dy rrugë, ose në kushtet e emergjencës që bëhet me urdhër të Drejtori të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në dijeninë time nuk ka në Elbasan ndonjë rast në kushte të emergjencës, ndërkohë që sekuestrimi normal sipas ligjit bëhet në bazë të vendimit të gjykatës së posaçme. Do kohën e vet gjykata për të marrë vendimin.

Pyetje: Verifikimi dhe sekuestrimi i aseteve pasurore, të vëna në mënyrë të paligjshme nga grupet kriminale i kanë kaluar tashmë MInistrisë së Brendshme. Si do të administrohet këto pasuri të grupeve kriminale?

Ministri Lleshaj: Administrimi nuk i ka kaluar ende Ministrisë së Brendshme, pritet t’i kalojë në të ardhmen e shpejtë përmes një ndryshimi ligjor. Ligji parashikon që pasuritë që do të konfiskohen për shkak të këtij ligji, do të kalojnë kryesisht për interes publik. Pra destinacioni i tyre do të jetë interesi publik. Agjencia përkatëse e administrimit të aseteve, e cila parashikohet të kalojë te MB, do të ketë detyrë që të administrojë në funksion publik. Kur them funksion publik, besoj e kuptoni, shkolla, Qendra Shëndetësore, Komisariat policie etj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!