Operacioni Forca e Ligjit ka shkuar sot në Shkodër ku i ka dërguar formularin dy të dënuarve për vepra të ndryshme penale.
Formulari i është dërguar Enver Bajrit i konsideruar si truri i bandës “Bajri” dhe një tjetër pjesëtari të kësaj bande Emrah Plakut të cilët kanë 48 orë kohë për të dërguar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë.
Enver Bajri banues në Shkodër është person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, Gjykata e Bolonjës (Itali) e ka dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni, e kryer në bashkëpunim”.
Ndërsa Emrah Plaku gjthashtu banues në Shkodër, person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./abcnews.al