OFL dështon me pasuritë e Lulzim Berishës, Gjykata Administrative i rikthen licensën për kompaninë e naftës

schedule16:30 - 12 Nëntor, 2020

schedule 16:30 - 12 Nëntor, 2020

Nga Glidona Daci

Ish-kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha, ka licensuar për të dytën herë pasuritë e tij.

Operacioni Forca e Ligjit nisi me buje aksionin për justifikimin e pasurive të Berishës ose sekuestrimin e tyre.

Por shumë shpejt gjithçka ka rezultuar një show.

Më 4 shkurt të këtij viti zëdhënësja e Operacionit Forca e Ligjit njoftoi se i forti i bandës se dikurshme të Durrësit kishte 48 orë kohë për të provuar se një makinë BMV të blinduar dhe 30 % të aksioneve në një kompani për nënprodukte naftë i kishte blerë me para të justifikuara.

Gjithashtu Lulzim Berisha kishte edhe një lokal të marrë me qira.

Por pas 9 muajsh Lulzim Berisha ka marrë sërish pasuritë e tij, pasi OFL dështoi për të provuar se ato ishin krijuar me burime të jashtëligjshme.

Gjykata Administrative ka vendosur që t’i riktheje Berishës licensën për  kompaninë “Rajan 2007”  që të vijojë aktivitetin e tij.

Sipas mbrojtësit ligjor te Lulzim Berishes,  Detar Hysi, vendimi i gjykatës është i drejtë . Ai sqaron se kompania “Rajan 2007”  përbëhet nga 3 ortake, dy prej të cilëve zotërojnë 70 për qind të aksioneve.

Sipas tij, togat e zeza konstatuan se dy ortakët nuk janë subjekt i OFL, gjithashtu u provua se këto pasuri Lulzim Berisha i ka krijuar pasi ka dalë nga burgu.

Po i njëjti argument është përdorur edhe nga Prokuroria e Durrësit që ka kërkuar  të heqë sekuestron për 1 milion e 200 mijë litra naftë të kompanisë  “Rajan 2007”.

Kjo kompani furnizon me naftë anijet e peshkimit në Portin e Durrësit.

Disa javë më parë gjykata vendosi që t’i rikthente edhe makinën e blinduar, pasi avokati i Berishës, arriti të provonte se të ardhurat që klienti i tij siguronte nga lokali me qira ishin të mjaftueshëm për të blerë automjetin me vlerë 1 milion lekë.

Në vitin 2007 gjykata i sekuestroi Lulzim Berishës të gjitha pasuritë ndërsa ato që zotëronte e motra i janë kthyer me vendim gjykate.

Ish -kreu i bandës së Durrësit ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, i cili më pas u ul në 25 vjet heqje lirie.

Por Berisha arriti të fitonte lirinë me kusht, pa e shlyer të gjithë dënimin./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!