Oficeri britanik nis dëshminë për rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

schedule16:17 - 18 Korrik, 2023

schedule 16:17 - 18 Korrik, 2023

Në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, filloi të dëshmojë Francis Ledwidge, oficer i ushtrisë britanike i cili kishte shërbyer në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

Ai është dëshmitari i katërmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

Prokurori Nico Baarlink tha se Ledwidge ka shërbyer në misionin e OSBE-së nga nëntori 1998 deri në mars 1999, si dhe nga korriku 1999, që sipas tij kishte hetuar rastet e personave të cilët pretendohet se janë ndaluar në zonën e Rahovecit.

Sipas prokurorit, dëshmitari kishte zhvilluar intervista me të ndaluarit.

“Dëshmitari ka hetuar rastet e personave të cilët janë ndaluar nga UÇK dhe të cilët janë zhdukur me ose rreth datës 17 korrik 1999 në Rahovec dhe në zonat përreth. Ai ka kryer intervista që kanë të bëjnë me këto ngjarje përfshirë këtu edhe të ndaluar të mëparshëm dhe anëtarë të familjeve të viktimave”, ka thënë ai.

Paraprakisht, në gjykatore dëshminë e ka përfunduar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!