Ofertë që nuk refuzohej dot, Antetokounmpo firmos kontratë 5-vjeçare

schedule12:58 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 12:58 - 16 Dhjetor, 2020

Giannis Antetokounmpo firmosi kontratën-rekord në basketbollin amerikan me klubin e tij, Milwaukee Bucks. Ylli 26-vjeçar do të fitojë rreth 230 milionë dollarë në 5 vjet.

Në Los Anxhelos ndoshta patën menduar për të.  Një Giannis Antetokounmpo në krah të LeBron James dhe Anthony Davis do të ishte kaq shumë saqë nuk do të kishte konkurrencë në NBA. Besohet se jo vetëm Milwaukee, por as klubet e tjerë nuk deshën që kjo të ndodhte.

Përfundimisht, ylli me origjinë afrikane dhe me pasaportë greke vendosi të qwndronte aty ku ishte, nëpërmjet kontratës më të madhe në historinë e basketbollit amerikan, prej 228.2 milionë USD në 5 vjet (mbi 45.6 milionë USD në sezon).

Përveçse Lakers, Antetokounmpo e donin edhe ekipe të tjera, ndoshta Golden State e Boston Celtics, por asnjëra prej këtyre nuk ndodhi.  Në moshën 26-vjeçare, ai po arrin kulmin e formës në një sport si basketbolli dhe ende beson se Milwaukee është zgjedhja e tij e duhur.

Me klubin e Veriperëndimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai është lidhur që kur ishte adoleshent, duke debutuar në NBA në moshën 18 vjeç e 311 ditë, një nga më të rinjtë për të gjitha kohët.

“Miluoki është shtëpia ime, – thotë Antetokounmpo, – për këtë arsye unë nuk e pata shumë të vështirë që të zgjidhja. Kam besim se do të arrijmë majat së bashku”. Sidoqoftë, deri tani nuk ia ka dalë, ndonëse është shpallur si lojtari më i mirë i kampionatit në dy sezonet e fundit.

Nuk dihet nëse një nga yjet më të mëdhenj të basketbollit vitet e fundit do të mundë të arrijë ëndrrën e tij të madhe, me gjasë edhe më të madhe sesa rroga që sapo fitoi, atë për titullin kampion në NBA. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!