Odegaard, Eriksen e Senesi: Thashethemet e merkatos s’ndalen

schedule19:57 - 20 Janar, 2021

schedule 19:57 - 20 Janar, 2021

Angli, Itali, Spanjë dhe Holandë: kudo po lëvizin në merkato dhe përjashtim nuk bën edhe një klub i madh si Real Madrid. Kampionët në fuqi të Spanjës kanë pikëtuar Marcos Senesi, mbrojtësin e skuadrës holandeze të Feyenoord.

Qendërmbrojtësi është blerë nga San Lorenzo për 7 milion euro dhe tani holandezët duan minimalisht 30 milion euro për kartonin e tij. Real duhet të shesë ndërkohë dhe një nga lojtarët që ka oferta është Martin Odegaard.

Mesfushori norvegjez po kërkohet me ngulm nga Sevilla, klub që e mendon si lojtar kryesor Odegaard. Vjet te Real Sociedad ai bëri paraqitje mjaft të mira, por te Reali këtë sezon nuk gjeti hapësira pas një dëmtimi që pësoi në fillim të sezonit.

Një tjetër operacion në merkato që ka marrë vëmendje është shkëmbimi që mund të bëjë Interi dhe Arsenalin. Christian Eriksen nuk është në planet e klubit italian, sikurse Lucas Torreira te “Topçinjtë”.

Mesfushori ishte në huazim te Atletico Madrid, por spanjollët nuk do ta blejnë. Arsenali tani duhet të mendojë ta sistemojë diku tjetër dhe për një lojtar si Eriksen londinezët kanë nevojë në këto momente, pasi larguan turko-gjermanin Mesut Ozil. /abcnews.al