Aurelio De Laurentiis tentoi të qetësonte skuadrën dhe Carlo Ancelottin. Presidenti i Napolit mohoi mundësinë e shkarkimit të trajnerit si pasojë e rezultateve negative, por ndeshja e ardhshme në kampionat është shumë e rëndësishme.
Napoli viziton Udinesen të shtunën (18:00) dhe një rezultat negativ mund të jetë fatal për trajnerin e njohur italian. Corriere dello Sport zbulon klauzolën e shkarkimit. Një vendim i tillë do t’i sillte 500 mijë euro Ancelottit, teksa në Angli bëjnë tifozllëk për… Udinesen.
Daily Express raporton se fiksimi i Arsenalit nuk është as Pochettino dhe as Allegri. Drejtuesit e Gunners kanë Ancelottin në krye të listës së dëshirave për pankinën dhe janë gati t’i plotësojnë çdo dëshirë.
Diçka e tillë mund të ndodhë nëse Napoli, që nuk fiton prej 6 ndeshjesh në kampionat, dështon në fundjavë. Arsenali shpreson që Udinese t’ia dalë të frenojë nënkampionët dhe të vijë sa më shpejt shkarkimi i Ancelottit. /abcnews.al