Obama: Amerikanët t’u thonë jo liderëve që nxisin urrejtjen

schedule11:30 - 6 Gusht, 2019

schedule 11:30 - 6 Gusht, 2019

Ish-presidenti Barak Obama ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundjavës së kaluar në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë thirrje amerikanëve që t’i thonë “JO” gjuhës që liderët politikë përdorin kundër emigrantëve. Edhe pse nuk përmendi emra, deklarata e Obamës i referohej atyre të pasardhësit të tij në krye të shtetit, Donald Trump.

Ish-presidenti amerikan Barak Obama u ka bërë thirrje amerikanëve që t’i refuzojnë liderët që me deklaratat e tyre ushqejnë urrejtjen dhe racizmin. Në reagimin e tij, Obama nuk ka përmendur emra, por komentet e tij të rralla erdhën pasi presidenti Donald Trump u përpoq të zbuste kritikat në adresë të tij për retorikën ndaj emigrantëve. Në fjalimin e mbajtur të hënën, pas incidenteve të armatosura që morën jetët e rreth 30 personave, Trump dënoi urrejtjen dhe supremacinë e bardhë.

Gjatë kohës që ishte në pushtet, Obama luftoi për kufizimin e pajisjes me armë, por pa ia arritur qëllimit. Gjatë kësaj kohe ai është treguar i përmbajtur ndaj retorikës së Trump në lidhje me emigrantët, por këtë herë ka zgjedhur të thyejë heshtjen.

“Ne duhet ta refuzojmë atë gjuhë që vjen nga cilido lider e që ushqen klimën e frikës, urrejtjes dhe normalizon ndjenjat raciste”, ka deklaruar Obama. Ai ka theksuar se, amerikanët duhet t’u thonë jo liderëve që demonizojnë emigrantët, apo thonë se ata kërcënojnë mënyrën amerikane të jetesës.

“Këto gjëra nuk duhet të kenë vend në politikë dhe në jetën tonë publike. Është koha që të gjithë amerikanët, të çdo race dhe besimi, ta thonë këtë qartë dhe pa asnjë keqkuptim”, ka vijuar Obama.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, presidenti Donald Trump ra në sy për etiketimin e emigrantëve meksikanë si trafikantë, kriminelë dhe vrasës. Ai gjithashtu tërhoqi së fundmi vëmendjen për gjuhën e përdorur ndaj disa kongresmeneve me prejardhje të huaj, të cilave u tha të kthehen në vendet e tyre të origjinës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!