Sipas prestigjiozes amerikane New York Times, në vitin 2016-2017, ekspertë të “Deutsche Bank” i sinjalizuan drejtuesve të kësaj banke disa transaksione të dyshimta për llogari të presidentit amerikan Trump dhe dhëndrit të tij Kushner.
Ekspertët e anti-riciklimit të “Deutsche Bank” sinjalizuan në vitin 2016 dhe në 2017-n, transaksione të dyshimta që i përkisnin enteve të kontrolluara nga Donald Trump dhe dhëndri i tij Jared Kushner.
Ata i rekomanduan drejtuesve të institucionit gjerman që të lajmëronin autoritetet federale të cilat merren me krimet financiare. Lajmi është publikuar nga New York Times, duke shpjeguar se drejtuesit e bankës nuk ndoqën këshillën e nëpunësve të tyre.
Sipas të përditshmes amerikane, transaksionet e dyshimta, i përkisnin disa enteve të perandorisë së Trump, përfshirë fondacionin e familjes. Gazeta shton dhe një detaj të rëndësishëm: drejtuesit e bankës i kishin dhënë me miliarda dollarë kredi shoqërive të presidentit amerikan dhe Kushner.
Veprimet u zbuluan falë sistemeve të alarmit me të cilët janë pajisur kompjuterët e bankës, për të sinjalizuar veprimet e paligjshme. Natyra e transaksioneve nuk është ende e qartë dhe të paktën njëri prej tyre i përket një fluksi të dyshimtë parash nga dhe drejt enteve apo individëve jashtë vendit./ABC News Albania 24/7