Niveli i nxehtësisë në oqeanet e botës deri në një thellësi prej 2 000 metrash arriti një rekord të ri në vitin 2025, niveli më i lartë që nga fillimi i matjeve dhe viti i nëntë radhazi me rritje të vazhdueshme të ngrohjes, sipas një analize të kryer nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh.
Sipas studimit, energjia termike u rrit me 23 kuadrilionë megaxhaulë në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.
Një ekip i udhëhequr nga Lijing Chen nga Akademia Kineze e Shkencave në Pekin i publikoi gjetjet e kërkimit, të bazuara në të dhëna që nga viti 1958, në revistën shkencore ”Advances in Atmospheric Sciences”.
Për sa i përket temperaturave mesatare globale në sipërfaqen e detit, viti 2025 ishte i treti më i ngrohtë, pas viteve 2024 dhe 2023.
Studiuesit shpjegojnë dallimin mes temperaturave në thellësi dhe atyre në sipërfaqe duke theksuar se fenomeni klimatik El Nino në Oqeanin Paqësor u dobësua ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.
El Nino lidhet rregullisht me temperatura më të larta globale në sipërfaqen e detit.
Kur merret parasysh përmbajtja e nxehtësisë, përfshihen edhe temperaturat në shtresat më të thella të oqeaneve. Për këtë arsye, rritja e përmbajtjes së nxehtësisë ndikohet relativisht më pak nga fenomenet klimatike sipërfaqësore dhe konsiderohet një tregues më i rëndësishëm i ngrohjes së planetit.


