Kreu i qeverisë paralajmëroi sot bizneset se do të përballen me penalitete të forta nëse nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. Ekspertja për ekonominë, Romina Radonshiqi thotë se është alarmante fakti që numri i individëve që marrin pension të pjesshëm është rritur për shkak të informalitetit të lartë.
“E vonuar si thirrje. Duhet të kishte ndodhur më parë. Kemi pensionet më të ulëta në rajon por nivel informaliteti dhe evazioni fiskal në deklarime. Duhet të marrë fund duke qenë se vetë punonjësit po bëhen palë me bizneset për të shmangur tatimet por kur dalin në pension kanë probleme. Së fundmi janë rritur individët me pension të pjesshëm, diku 50 përqind, që do të thotë se është alarmante se kemi akoma informalitet dhe evazion të lartë. Duhet të marrë fund pasi dëmton ekonomitë familjare, dëmton qeverinë, duke rritur barrën për buxhetin e shtetit. Nëse luftohet, vetë skema e pensionit do të merrte frymë dhe s’do të kishte nevojë për marrjen e një pjese të buxhetit të shtetit.“, deklaroi ekspertja.
Sipas saj, sektorët më problematikë me mos deklarimin e pagave reale është ai i ndërtimit, turizmit por edhe disa shërbimeve të tjera. Ajo shtoi se edhe vetë punëmarrësi duhet të ndërgjegjësohet dhe të mos lejojë një gjë të tillë, pasi do të jetë vetë ai që do të përballet me probleme kur del në pension.
Duke u ndalur te deklarata e kryeministrit se do të integrojë Inteligjencën Artificiale për të kontrolluar shkeljet nga bizneset, ajo tha se kjo do të ndihmojë që të shmanget informaliteti dhe evazioni fiskal./abcnews.al