Numri i degëve të bankave në 2021 u rrit përsëri pas një dekade

schedule07:19 - 11 Shkurt, 2022

schedule 07:19 - 11 Shkurt, 2022

Numri i degëve të bankave tregtare këtë vit po rritet për herë të parë prej afërsisht një dekade. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2021 numri i degëve arriti në 417, nga 413 që kishte qenë në fillim të vitit. Megjithëse rritja nuk është shumë e madhe, viti 2021 shënoi një moment kthese, sepse kjo është hera e parë prej vitit 2012 që numri i degëve bankare po rritet.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet. Efektet e krizës filluan të bëheshin më të ndjeshme, të shprehura në rritje të kredive me probleme dhe rënie të fitimeve. Nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese. Ky proces u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare.

Në periudhën 2018-2019, numri i bankave tregtare ra nga 16 në 12. Si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën. Por tashmë cikli i konsolidimit të sektorit bankar duket se po nisë të japë një efekt pozitiv në ecurinë e numrit të përgjithshëm të degëve bankare.

Bankat që kanë dalë nga shitblerjet janë më të shëndetshme dhe më të orientuara për t’u zgjeruar. Pjesë e këtij zgjerimi po bëhet edhe rrjeti i degëve, megjithëse sot dixhitalizimi i shërbimeve bankare e ka bërë më pak të domosdoshëm një prani të gjerë të njësive fizike të shërbimit të bankave. Shumë shërbime që një dekadë më parë mund të ofroheshin vetëm në degë tani mund të merren shumë thjesht në distancë, përmes platformave të internet banking dhe mobile banking.

Megjithatë, Shqipëria ende nuk është ndër vendet shembull të dixhitalizimit të shërbimeve financiare, ndërkohë që ende depërtimi i degëve bankare në raport me popullsinë ngelet relativisht i ulët. Vlerësohet se Shqipëria ka aktualisht depërtimin e dytë më të ulët të degëve bankare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me afërsisht 18.6 degë për 100 mijë banorë në moshë madhore. Në këtë renditje, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën, me 16.2 degë për 100 mijë banorë.

Mbështetur në të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2020, Mali i Zi është shteti me numrin më të lartë të degëve bankare në raport me popullsinë, me afërsisht 38.1 degë për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 29.9 për 100 mijë banorë, Serbia me 27.6 për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 23.1 për 100 mijë banorë. Përgjithësisht, në dekadën e fundit tendenca e depërtimit të degëve bankare ka qenë në rënie edhe vendet e tjera të Rajonit, në një cikël të ngjashëm me Shqipërinë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!