Numri dy i FMN: Re të zeza mbi ekonominë globale

schedule14:56 - 11 Dhjetor, 2018

schedule 14:56 - 11 Dhjetor, 2018

Numri dy i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se ekonominë globale e presin ditë të vështira. Duke nënvizuar se qeveritë dhe bankat nuk kanë marrë masa për parandalimin e krizave, David Lipton ka paralajmëruar se bota duhet të përgatitet për një skenar si ai i 2008-s.

Një nga zyrtarët më të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar të martën se re të zeza po mblidhen mbi ekonominë globale dhe se qeveritë dhe bankat duhet të jenë të përgatitura për të kaluar stuhinë. Në dy vitet e fundit FMN u ka bërë disa herë apel qeverive të vendeve të ndryshme që “të rregullojnë çatinë” teksa moti është ende me diell, por duket se thirrjet kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Ndaj, sikurse dhe ju, unë shoh re të zeza të grumbullohen dhe kam frikë se puna për parandalimin e krizave ka mbetur në gjysmë”, ka deklaruar zëvendës drejtori i parë i FMN-së, David Lipton.

Lipton ka paralajmëruar gjithashtu se situata problematike do t’u hapë telashe qeverive dhe do t’i fusë ato në ujëra të turbullta.

“Bankat qendrore do të përfundojnë duke kërkuar mënyra jotradicionale për të zgjidhur problemet. Por nisur nga pasiguritë në arritjen e rezultateve duhet të shqetësohemi për fuqinë e politikës monetare”, ka vijuar Lipton.

Ai ka paralajmëruar se shumë qeveri nuk do të kenë hapësirat e nevojshme për të bërë manovra, pasi që tani kanë borxhe të larta.

“Nuk mund të presim që qeveritë të veprojnë në të njëjtat hapësira siç vepruan 10 vjet më parë”, ka shtuar Lipton.

Zyrtari i lartë i FMN-së ka shtuar se edhe politikat stimuluese do të jenë të vështira, duke marrë parasysh barrën financiare që ato krijojnë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!