“Numri 9 nuk më shqetëson, shihja TV të mos isha gati! Po e prisja Milanin”

schedule16:44 - 21 Janar, 2021

schedule 16:44 - 21 Janar, 2021

“Preferoj të flas në fushë. Shumë fjalë mund të thuhen, por vetëm fusha ka rëndësi”, tha mes të tjerash Mario Mandzukic, sulmuesi i prezantuar sot te Milani. Para mediave ai foli për tema të ndryshme dhe theksoi se është gati për këtë aventurë dhe se është përgatitur fort gjatë kësaj periudhe që ishte pa ekip.

“Jam shumë i lumtur që jam në Milano. Po përgatitesha për këtë mundësi. Kam parë një atmosferë pozitive në Milanello, Milani është i pari në renditje dhe është e rëndësishme për mua të jem gati për ekipin dhe të bëj më të mirën. Milani është një ekip i ri, i kam parë ndeshjet e fundit. Luftojnë shumë, kanë shpirt të lartë gare dhe fryma në ekip është e shkëlqyeshme.

 

Do luaj përkrah tyre, jam profesionist dhe shpresoj të jap maksimumin tim në stërvitje dhe në fushë. Jam përgatitur prej muajsh dhe nëse nuk do të isha gati nuk do kisha pranuar të vija te Milani. Do rrija në shtëpi të shihja TV. Gjithsesi jam gati të mbështes ekipin dhe të jap kontributin tim”, tha fillimisht Mandzukic.

IBRA DHE TITULLI – “Zlatan dhe unë kemi shumë ndeshje në këmbët tona dhe jemi ekspertë. E rëndësishme është të trembim kundërshtarët dhe të luftojmë, sicc bëjnë të gjithë në ekip. Titulli? Ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit, do të jetë më e lehtë të kalojmë me sukses ndeshjet tona dhe të përpiqemi të shkojmë te titulli kampion.

Do të ishte një sukses i madh të kthehemi te titulli pas 10 vitesh. të gjithë e dinë historinë e madhe të Milanit dhe sukseset e panumërta. Të jesh në gjendje të fitosh titullin është e rëndësishme, por preferoj të mos flas shumë. Duhet të flasim në fushë. CCfarë kam gjetur në Serie A? Nuk më interesojnë ekipet e tjera, vetëm Milani dhe vetja”.

 

PIOLI DHE MALDINI – “Kam folur me trajnerin dhe është një person shumë pozitiv. Ai më pyeti për pozicionin ku dëshiron të luaj dhe i kam thënë se jam i gatshëm të luaj kudo. Te Milani nuk kam ardhur t’u tregoj drejtuesve të Juventusit se gabuan me mua. Kur më thirri Milani mendova vetëm të përmbush pritshmëritë që ata kanë ndaj meje. Isha shumë u lumtur kur Maldini më mori në telefon. Po përgatitesha për këtë mundësi. Këtu është një atmosferë shumë e mirë, Milanin e kam parë në TV dhe ka shumë motivim nga i gjithë grupi”.

JUVENTUSI DHE NUMRI 9 – “Kur të kemi përballë Juventusin do të jemi rivalë në fushë dhe miq jashtë. Shpresoj që tifozët e Milanit të kthehen sa më shpejt në stadium. Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të mirë me tifozët e Juventusit dhe do i respektoj ata gjithmonë. Gjithsesi ndodh që të ndryshosh skuadër. Sa i takon Sarrit, preferoj të mos flas. Numri 9? Nuk jam i shqetësuar për numrin. Nënta ishte e lirë, kurse 17 e zëne. Nuk shqetësohem për atë që qëndron pas bluzës, por për ata që ka përpara”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!