Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave për kandidatët është drejt përfundimit.
Në një postim në mediat sociale, Celibashi shprehet se numërimi vijon edhe në 9 KZAZ më Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan.
Po ashtu Celibashi u bën thirrje komisionerëve dhe numëruesve që ta vazhdojnë procesin e numërimit pa ndërprerje deri në kutinë e fundit dhe të mos vonojnë hedhjen e të dhënave në sistemin elektronik të KQZ-së.
POSTIMI
“Procesi i numërimit të votave për kandidatët, drejt fundit. Vijon numërimi në 9 KZAZ (Tiranë, Durrës, Lezhë & Elbasan). Komisionerët & numëruesit të vazhdojnë numërimin pa ndërprerje deri në QV-në e fundit & të mos vonojnë hedhjen e të dhënave në sistemin elektronik të KQZ. #zgjedhjetshqiperi2021 #25prill2021 #kqz”
Sa i përket qarqeve ku vijon ende numërimi i votave preferenciale, në Lezhë kryeson Kastriot Piroli i listës së PD me 9,374 vota. I katërti në listë, edhe pse e ka fituar mandatin ai është shumë afër thyerjes së herësit.
Pas tij vijnë Mark Marku me 5, 321 vota, Agron Gjekmarkaj me 4,67 vota dhe Lindita Metaliaj me 2,328 vota.
Nga PS, kryeson Eduard Ndreca 7,250 vota ndjekur nga Lindita Nikolla me 5,145 vota që pasohet nga Shpresa Marnoj që numëron 3,171 vota.
Në Elbasan, Taulant Balla i cili është kandidati më i votuar në gjithë Shqipërinë ka marrë deri më tani 21,604 vota, ndjekur nga Saimir Hasalla me 11, 518 vota. Hasalla është i dyti në Elbasan që thyen herësin.
Nga PD Luçiano Boçi ka thyer herësin me 10,930 vota.
Në Durrës, Edi Rama i kryeson me 11,945 vota do të shihet nëse do të pranojë mandatin e këtij qarku, apo të Vlorës, për t’i hapur rrugë një tjetër kandidati.
Vetëm ai ka thyer herësin në Durrës, kurse pas tij vjen Rrahman Rraja 7 mijë e 561 vota, ndjekur nga Lefter Koka me 7 mijë e 345 vota dhe Jurgid Çyrbja me 5 mijë e 875 vota.
Kurse, nga PD, më shumë vota numëron 22-vjeçarja, Andia Ulliri me 5,488 vota të tilla ndjekur nga Ferdinant Xhaferraj me 4,577 vota, Agron Duka me 3,908 vota dhe më pas Edi Paloka me 3,509 vota.
Në Tiranë,deri më tani herësin e kanë thyer Fatmir Xhafaj me 14,194 vota, Balluku me 13,792, Ornaldo Rakipi me 13,744 vota, i ndjekur nga Etjen Xhafaj dhe Arben Ahmetaj. Nga PD kandidati më i votuar është kryetari Lulzim Basha me 14,048 vota që pasohet nga Shehaj, Këlliçi dhe Grida Duma. /abcnews.al/