Nuk i kemi punët mirë me teknologjinë këto kohë.
Fillimisht, Berat Gjimshitit iu anulua një gol në Serinë A, ndërsa realizoi në sfidën Atalanta-Kremoneze, dhe këtë mesjavë kjo gjë u përsërit.
Jasir Asani ishte në fushë në Ligën e dytë të Kampionëve të Azisë, ndërsa skuadra e tij Esteglal priste në Teheran rivalin nga Jordania, Al Husein.
Futbollisti i kombëtares shqiptare ishte protagonist në një duel që iranianët e dominuan ndaj kryesuesit të ligës saudite, por edhe ai ishte pafat, si Gjimshiti.
Realizoi një gol të shkëlqyer, si ata që di t’i realizojë vetëm ai, por flamuri i anësorit u ngrit lart.
Kontrolli me VAR bëri që të shihej që pozicioni I shqiptarit nga Shkupi ishte paksa më I avancuar, pra ai ishte jashtë loje.
Një mëkat. Paaftësia vazhdoi për Esteglalin, pasi u anulua edhe një gol I dytë, sërish për pozicion jashtë loje, ndërsa mallkimi u bë I plotë në fund.
Al Husein shënoi një rrjetë të shkëlqyer dhe fitoi ndeshjen e parë të të tetave të finaleve, pra Asani me shokë duhet të realizojnë një mrekulli në sfidën e dytë në Jordani.
Në Championsin e Azisë titullar ishte edhe Mario Mitaj. Mbrojtësi i kombëtares tashmë ka nisur të luajë rregullisht dhe shpresohet të vazhdojë kështu.
Skuadra e tij, Al Itihad, triumfoi 7-0 në shtëpi kundër Al Garafës nga Katari, një reagim pozitiv pas përkrahjes së tifozëve në stërvitje. Husem Auar shënoi 3 gola, ndërsa Mitaj ishte në fushë për 63 minuta.


