Nuk shkoni në zyrë? Këto janë përparësitë e punës nga shtëpia

schedule21:21 - 9 Janar, 2023

schedule 21:21 - 9 Janar, 2023

“Kanë kaluar më shumë se 30 vjet kur ekspertët parashikuan se shumë shpejt, punonjësit do të punojnë nga shtëpia ose nga ndonjë vend tjetër, plazhe, bare”, shkruan Liz Ryan në revistën ekonomike “Forbes”.

Ky parashikim nuk është verifikuar ende. Shumica e njerëzve vijojnë të shkojnë në punë çdo ditë. Sipas Ryan, e cila drejton një kompani këshilluese, puna nga shtëpia do të ishte më efikase…

Universiteti i Stanford-it ka arritur në përfundimin se të punuarit nga shtëpia nuk ka efekte negative, përkundrazi sjell efekte pozitive në rendiment. Profesorët e universitetit studiuan 2013 punonjës të një kompanie kineze. Një grup prej tyre u lejua të punonte në shtëpi për nëntë muaj, të tjerët shkonin në punë çdo ditë. Më pas studiuesit arritën në përfundimin se punonjësit që punonin nga shtëpia ishin jo vetëm 13% më produktivë, por edhe më të lumtur.

KUNDËR TË PUNUARIT NGA SHTËPIA – ARSYEJA ËSHTË PSIKOLOGJIKE

Ryan pyet: “Pse një kompani të mos i lejojë punonjësit të punojnë nga shtëpia? Arsyeja është se menaxherët i tremben kësaj gjëje. Edhe pse financiarisht do të ishte më e leverdisshme që punonjësit të lejohen të punojnë nga shtëpia, drejtuesit i tremben ndryshimit. Punonjësit kanë nevojë për besim. Nëse drejtuesit janë të shqetësuar se punonjësit janë duke abuzuar me orët e tyre të punës, ata në mënyrë të pandërgjegjshme do ta tregojnë këtë me fjalë dhe veprime”. Sipas Ryan, rezultati do të ishte jo shumë produktiv: “Nëse përpiqeni të ushtroni shumë kontroll mbi punonjësit, ata nuk do të jenë më vetvetja dhe nuk do ta përballojnë dot këtë situatë”.

MUNGESA E BESIMIT DO TË THOTË NJË MENAXHIM I KEQ

Problemi te drejtuesit që nuk lejojnë punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia qëndron te mungesa e besimit te vetja. Ata ua mohojnë punonjësve mundësinë për të punuar në mënyrë të pavarur dhe të besueshme. Në nënvetëdijen e tyre, ata vuajnë aftësinë për të udhëhequr.

“Ka ardhur koha që kompanitë të mos kenë më frikë që t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia”, thotë Ryan.

Ajo thotë se gjithnjë e më shumë kompani janë duke u dhënë punonjësve të tyre lirinë për të punuar ku të duan. Besimi i tyre do të shpërblehet, pasi punonjësit do të jenë më të qetë dhe më kreativë në punë.