Vedat Muriqi është blerja e dytë më e shtrenjtë e epokës Lotito te Lazio. Bardhekaltrit shpenzuan 20 milion euro për kartonin e bomberit dardan (17.5+2.5 në formë bonusesh) dhe zbarkimi i tij në kryeqytetin italian krijoi entuziazëm të madh.
Atmosfera ka ndryshuar, 26-vjeçari nga Prizreni nuk ka shënuar akoma golin e parë me Lazion dhe kritikat janë shtuar në lidhje me rendimentin e sulmuesit potent. Në shënjestër edhe Igli Tare për një blerje që nuk po jep frytet e duhura.
Mediat italiane raportojnë se edhe presidenti i Lazios, Claudio Lotito e ka humbur durimin rreth Muriqit. Ky i fundit luajti rreth 1 orë në takimin e humbur 3-2 në “San Siro” ndaj Milanit, aty ku nuk shfaqi asgjë nga potenciali i tij.
Paraqitja jo e mirë e shtatlartit ndaj ekipit kryesues të Serie A ka acaruar kreun e klubit italian. Muriqi nuk po arrin të përshtatet me skemat e Inzaghit. Mungesa e fazës përgatitore me skuadrën e re dhe infektimi me Covid-19 ndikuan për keq, por në Romë po e humbasin besimin ndaj tij.
Në Turqi flasin për një huazim deri në fund të sezonit te Fenerbahce. Ish-skuadra është gati t’i paguajë gjysmën e rrogës (1.3 milion euro), por pritet përgjigja e Lotitos në lidhje me të ardhmen e futbollistit shqiptar. /abcnews.al