“Nuk po e humbim shpresën”, Erdogan: Turqia gati të presë samitin Rusi-Ukrainë

schedule22:13 - 8 Mars, 2024

schedule 22:13 - 8 Mars, 2024

Turqia është e gatshme të presë një samit Rusi-Ukrainë, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të premten, duke mirëpritur homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Stamboll.

“Ne jemi gati të presim një samit paqeje në të cilin do të marrë pjesë Rusia”, deklaroi kreu i shtetit turk, duke iu drejtuar gazetarëve me presidentin ukrainas në krah të tij.

Erdogan përsëriti “mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të aleatit (të tij) strategjik, Ukrainës.

“Duke vazhduar solidaritetin tonë me Ukrainën, ne do të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund luftës dhe për një paqe të drejtë dhe të negociuar,” tha ai.

Lidhur me një mekanizëm të ri për të garantuar sigurinë e transportit tregtar në Detin e Zi, presidenti turk konfirmoi “qëllimin e tij për të arritur një marrëveshje midis palëve”, duke thënë se ishte i gatshëm të ofronte ndihmën e tij.

“Ne kemi të njëjtin qëndrim për sigurinë ushqimore, shkëmbimin e të burgosurve dhe garancitë e lundrimit: ne duhet t’i sigurojmë ato,” shtoi ai. “Nuk po e humbim shpresën!”.

Erdogan u zotua gjithashtu se Turqia do të kontribuojë ndjeshëm në rindërtimin e Ukrainës sapo të përfundojë lufta. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Erdogan e ka ofruar veten disa herë si ndërmjetës për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!