Mitat Tola, shef i Sektorit të Policisë Rrugore ka folur për situatën e rrugëve në vend, ndërsa aksidentet vijojnë të mbetet një shqetësim.
Në një lidhje direkte për emisionin “Log.” me Endri Xhafon, Tola theksoi ndër të tjera se një nga detyrat e policisë është parandalimi i aksidenteve dhe sipas tij një prej formave është ndëshkimi i shkelësve.
Daljen e efektivëve rrugorë në terren, ai tha se është në formë mesazhi që ju përcillet drejtuesve të mjeteve që të mos kryejnë shkelje.
“Drejtoria e Policisë Rrugore e ka pjesë të pandarë të punës kontrollin në territorin. E ka detyrë funksionale. Kjo jo për të treguar se policia del dhe ndëshkon, por del dhe ndihmon.
Edhe ekspertë po qe se do ti referohemi kodin e procedurës penale. Ekspertët e policisë rrugore janë të mirëfilltë. Ekspertët që kanë njohuri të posaçme në fushë.
Drejtoria e policisë rrugore nisur nga ngjarja del për të dhënë mesazhe sigurie për përdoruesit e tjerë të rrugës. Për të ndëshkuar atë pjesë që kryen shkelje. Jemi për të ndëshkuar atë pjesë që duhet ndëshkuar,” u shpreh ai.
I pyetur nga gazetarja Xhensila Kodra për deklaratën e sotme të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi se policia nuk mund të ndjekë çdo mjet pas, Tola tha se janë vetëm 800 punonjës policie dhe 1 milion mjete në vend.
“Policia është 24 orë në rrugë. Një nga detyrat e saj është parandalimi i aksidenteve. Parandalimin e kryen nëpërmjet ndëshkimit dhe edukimit. Dalja ime bën pjesë te edukimi. Policia rrugore në Shqipëri ka 800 punonjës, janë 1 milion mjete në Shqipëri. Kemi një numër të pamatë kilometrash. Është jashtë mundësive të çdo policie që të monitorojë çdo centimetër të rrjetet. Besoj se deklaratat e ministrit është që polici virtual duhet të jetë në sediljen e mjetit. Ka mangësira në bashkëpunim. Por policia rrugore bën pjesën maksimale në bashkëpunim. Kemi marrëveshje bashkëpunimi me ARRSH,” u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur ekspertit Artur Sulçe, Tola tha se radarët e policisë nuk janë statikë, por të lëvizshëm.
“Radarët e policisë nuk janë statikë. Janë të lëvizshëm. Të gjitha akset kanë nevojë për tu monitoruar. Aksidenti i fundit tregoi po nuk u kontrollua shpejtësia dhe nuk ka rrugë tjetër veçse me radar ata mund të marrin jetë,” deklaroi ai. g.v/abcnews.al