Squid Game do të rikthehet me një sezon të dytë. Krijuesi i serialit me nëntë episode, që theu rekorde shikueshmërie në Netflix, Hwang Dong-hyuk, konfirmoi planet për një sezon të dytë në një intervistë të fundit për Associated Press.
“Ka pasur kaq shumë presion, kaq shumë kërkesa dhe kaq shumë dashuri për një sezon të dytë. Kështu që ndihem sikur nuk na lini asnjë zgjedhje tjetër. Do të ketë një sezon të dytë. Jam në procesin e planifikimit aktualisht. Por mendoj se është shumë herët për të thënë se kur dhe si do të ndodhë kjo”, tha ai.
Squid Game ndjek një grup prej 456 personash që përballen me borxhe masive, të cilët konkurrojnë në një seri lojërash në dukje të thjeshta për fëmijë në një përpjekje për të fituar një çmim prej 40 milionë dollarësh. Nëse humbasin, ata vdesin. /abcnews.al