Nuk mbante shaminë islame/ Dënohet me 74 kamxhik gruaja në Iran

schedule17:02 - 7 Janar, 2024

schedule 17:02 - 7 Janar, 2024

Gjithsej 74 goditje me kamxhik dhe një gjobë për ofendim të moralit islam përfshin dënimi për një grua iraniane e cila u dënua për mosmbajtjen e shamisë islame.

“E dënuara Roya Heshamti inkurajoi tolerancën (duke dalë) në mënyrë të neveritshme në vendet e mbushura me njerëz në Teheran. Dënimi me 74 kamxhik është kryer në përputhje me ligjin dhe sheriatin dhe për shkelje të moralit të njerëzve”, njoftoi të shtunën në mbrëmje Agjencia e Lajmeve të Gjyqësorit, Mizan Online.

Roya Heshamti u arrestua në prill të vitit 2023 “sepse ajo publikoi në mediat sociale një foto të saj pa shami“, siç i tha avokati i saj, Maziar Tatati për gazetën reformiste të Iranit Shargh, raporton APE-BPE.

Muajt ​​e fundit, gjithnjë e më shumë gra janë shfaqur pa shami në publik, veçanërisht pas lëvizjes protestuese të shkaktuar nga vdekja në paraburgim në shtator 2022 e Mahsha Amini, e cila u arrestua nga policia e moralit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes.

Përballë akteve të mosbindjes së grave për përdorimin e hixhabit, autoritetet u përpoqën të ashpërsonin masat, duke paralajmëruar më shumë kontrolle, kryesisht duke përdorur kamera dhe duke arrestuar aktoret që pozonin pa hixhab në rrjetet sociale.

Në shtator, parlamenti votoi në favor të një projektligji që do të ashpërsonte dënimet për njerëzit që shkelin kodin e veshjes.

Kujtohet se që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, përdorimi i hixhabit (mbulimi i kokës) është i detyrueshëm në Iran për të gjitha gratë, përfshirë të huajt, të cilët duhet të mbulojnë flokët e tyre në vendet publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!