Nuk lejohen të kalojnë në Mal të Zi, përplasje mes qytetarëve dhe policisë në Han të Hotit

schedule09:16 - 14 Shtator, 2021

schedule 09:16 - 14 Shtator, 2021

Dhjetëra qytetarë nga Shqipëria nuk janë lejuar të futen në Mal të Zi, mëngjesin e sotëm. Siç raporton për abcnews.al gazetari Simon Shkreli, bëhet fjalë për qytetarë që punojnë në shtetin fqinj.

Ata janë bllokuar për shkak të problemeve me dokumentet dhe certifikatës së vaksinimit në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit dhe nuk lejohen të kalojnë në anën tjetër, ndërsa ka pasur edhe përplasje mes tyre dhe policisë.

“Problemi jonë është që sot nuk mund të kalojmë, arsyeja për rregullat. Ne i kemi bërë vaksinën, por nuk na pranojnë. Kam bërë Pfizer. Këta na thanë që duhet të kenë edhe kodin personal,” shprehet një qytetar për ABC.

Duke filluar nga sot, 14 shtator kanë hyrë në fuqi masat e reja të vendosura nga autoritetet e shtetit malazez. Të gjithë qytetarët e huaj që duan të udhëtojnë në Mal të Zi duket të kenë:

Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë;

Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;

Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë;

Ata që nuk përkojnë me masat e mësipërme duhet të karantinohen. Izolimi mund të ndërpritet pas një testi PCR negativ, pas ditës së gjashtë nga kalimi i kufirit. g.v/abcnews.al