Roberto Mancini po zhvillon një punë shumë të mirë te kombëtarja e Italisë dhe ka arritur të rikthejë shpresën dhe besimin te tifozët e zhgënjyer. Lojtarë të rinj, futboll i bukur dhe dëshirë për të dominuar e fituar.
Trajneri ia ka dalë të lërë pas krahëve periudhë e zezë, Italia i mbylli me fitore eliminatoret e Euro 2020 dhe tani synon fitimin e këtij kompeticioni. Pavarësisht se nuk ka yje të kalibrit të Tottit apo Del Pieros, Italia mbetet gjithmonë një rival i padëshiruar nga askush dhe Mancini analizon pikat e forta.
“Mund të themi që ky ishte një vit perfekt për ne. Shpresoj që vitin e ardhshëm të festojmë fitimin e Europianit. Djemtë besuan në një projekt ndryshe, ajo që kam marrë prej tyre jashtë fushave nuk më ka bërë më pak të lumtur se rezultatet e arritura në ndeshje.
Sot nuk kemi në ekip një Totti apo Del Piero, por kemi një skuadër që përbëhet nga lojtarë shumë të aftë teknikisht, të cilët kanë një harmoni të bukur mes tyre. Italia ime do të luajë për të fituar Europianin, edhe pse nuk nisemi favoritë dhe ka skuadra më të përgatitura se ne.
Kemi kohë për t’u përmirësuar deri në qershor. Grupi nuk është aq i thjeshtë sa duket dhe fakti që do të luajmë në ‘Olimpico’ do të jetë edhe presion për ne, përveçse një avantazh i madh“, përfundon Mancini në një prononcim për Gazzetta Award. /abcnews.al