“Nuk kemi frikë nga Real Madrid”, Kvaratskhelia: Duam të shkojmë “larg” në Evropë

schedule11:56 - 3 Tetor, 2023

schedule 11:56 - 3 Tetor, 2023

Mbrëmjen e kësaj të marte, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, UEFA Champions League rikthehet për të nisur raundin e dytë të fazës së grupeve, ku padyshim priten përballje spektakolare.

Një nga këto përballje është padyshim “beteja” e mbrëmjes së sotme, në mitikun “Diego Aramando Maradona”, ku vendasit e Napoli do të presin “galaktikët” e Real Madrid, në atë çka mund të quhet më plot gojë “supersfida” e kësaj të marte.

Në prag të ndeshjes disa fjalë i ka thënë dhe “ylli” gjeorgjian, Kvicha Kvaratskhelia, i cili fillimisht ka treguar se Real Madrid është ekipi i tij i preferuar, mirëpo në këtë përballje do të bëjë çdo gjë për të arritur te fitorja.

“Unë jam rritur duke parë Real Madrid në TV dhe tani ata janë rivali im në fushë dhe gjithashtu në stadiumin tonë. Është e pamundur të mos jesh i lumtur me një mbrëmje si kjo. Napoli i respekton të gjithë, por nuk ka frikë nga askush. Ne jemi kampionë të Italisë dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”,- u shpreh Kvicha.

Më tej, “ylli” gjeorgjian foli dhe për idhujt e tij te “galaktikët”, “fantazistin” Guti dhe Cristiano Ronaldo, teksa theksoi se kur ishte ende fëmijë shikonte goditjet e “superyjeve” të Real Madrid dhe tentonte t’i kopjonte ato.

“I shikoja dhe u përpoqa të imitoja goditjet e tyre, Guti dhe Cristiano Ronaldo më frymëzuan”,- tha Kvaratskhelia pëpara përballjes me “los blancos”.

Në vazhdim të fjalës së tij, Kvara risolli në kujtesë dhe ecurinë e sezonit të kaluar të skuadrës së tij në Champions League, ku arritën për herë të parë në historië, fazën çerek-finale të këtij kompeticioni, teksa shtoi se këtë vit presin edhe më shumë.

“Napoli nuk ishte kualifikuar kurrë në çerekfinale. Ishte një arritje e madhe, tani ëndërrojmë ta kapërcejmë, nuk duam të ndalemi. Koha do të na tregojë se sa larg mund të arrijmë në Evropë. Topi i Artë? Unë ëndërroj ta fitoj një ditë, siç ëndërrojnë të gjithë”,- u spreh 22-vjeçari.

Për të mbyllur fjalën e tij, përpara sfidës ndaj Real Madrid, Kvicha foli dhe për situatën aktuale te kampionët në fuqi të Italisë, teksa fillimisht u ndal te tekniku i ri, Rudi Garcia e më pas thuri “elozhe” për shokun e tij të sulmit, Victor Osimhen.

“Së pari duhet të falënderoj Spalletti-n. Ai besoi tek unë dhe bëri që potenciali im të shpërthejë, nuk do të kem kurrë fjalë të mjaftueshme për të shprehur mirënjohjen time. Rudi është një trajner i madh, ne po përmirësohemi pak nga pak. pak për të mësuar taktikat dhe vizionin e tij. Jam i sigurt se së shpejti do të arrijmë në versionin tonë më të mirë. Jemi një grup i disponueshëm dhe i etur për të ndjekur idetë e trajnerit.

Victor është një djalë i veçantë, siç mund të shihet . në fushë: ai është gjithmonë i disponueshëm për të dhënë një dorë, brenda dhe jashtë fushës. A e falenderojmë për gjithë ndihmën e tij? Po, gjithmonë”,- përfundon “ylli” gjeorgjian. /i.m /abcnews.al