“Nuk kam humbur asnjë garë”, Këlliçi: Deklarata e Bashës në kufijtë e absurdit logjik

schedule19:44 - 8 Mars, 2022

schedule 19:44 - 8 Mars, 2022

“Në kufijtë e absurdit logjik”, e ka cilësuar deputeti Belind Këlliçi deklaratën e kreut të PD Lulzim Basha ditën e djeshme pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit, pasi tha se nuk ka humbur asnjë garë.

“Deklaratë në kufijtë e absurdit logjik. S’e di ku e gjen kurajon pa iu dridhur qerpiku. Me këto deklarata po i bën dëm vetëm PD.  Sa më gjatë ta zgjasë aq në mënyrë të turpshme do mbahet mend si dështimi më spektakolar i një dështimi të një personaliteti politik në Shqipëri.   S’e di si mund t’i bëjë këto deklarata. Basha është një individ që në 4 vitet e fundit vetëm emëron shkarkon, se njeh institucionin e garës dhe të dorëheqjes”, tha ai.

I pyetur për rezultatin e dobët të PD në zgjedhjet e pjesshme, Basha tha “unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time, po jam përballur me masakra zgjedhore”.

Unë e kam bërë të qartë dhe nuk ka qytetar që nuk e di që procesi i 6 marsit ishte një anomali e një anomalie. Anomalia e parë që ndodhi ishin zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019. Anomalia e dytë ishte që katër nga kryebashkiakët monist dolën me rekorde kriminale, njëri ndërroi jetë dhe tjetri vendosi të kandidonte”, tha kreu i PD.

Kryedemokrati pranoi se refuzimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje është edhe përgjegjësi e PD, e cila siç tha do t’i nënshtrohet një reflektimi të thellë dhe shkëputje përfundimtare nga e shkuara. PD u renditet parti e tretë në 5 bashki nga 6 bashkitë në garën e së dielës.

/abcnews.al