Nuk ka mundur të kthehet në mrekulli tragjedia në Spanjë. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të pajetë vogëlushin dyvjeccar Julen, i cili kishte rënë që në 13 Janar në një pus 100 metra të thellë
Ndodhi ajo që shumë i frikësoheshin. Nuk ia ka dalë dot mbanë vogëlushi Julen. Ekipet e shpëtimit e arritën në orën 01:25 të së shtunës pas 13 ditësh gërmimesh pa pushim në pusin ku ra në 13 Janar në Totalan, një zonë pranë Malagës. Por fëmija ishte i pajetë. Rojet civile konfirmuan në faqen e tyre zyrtare në Twitter se fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve nga shumë njerëz, nuk u bë e mundur që fëmija të shpëtonte.
Trupi i tij u gjet më shumë se 100 metra nën tokë. Një agjent i rojeve civile, ishte i fundit që iu bashkua personelit të brigadës së shpëtimit në miniera, duke hapur një galeri për të mbërritur tek Julen. Pjesa e fundit ishte shumë e vështirë, për shkak të gurëve të mëdhenj, që u hodhën në erë me sasi të vogla eksplozivi.
Ndërkohë mbeten të hapura hetimet e rojeve civile për të zbardhur se si fëmija 2-vjeccar ka mundur të bjerë në pus. Prindërit e tij janë të njohur në zonën ku jetojnë. Në vitin 2017 ata humbën një fëmijë tjetër, 3-vjeccarin Oliver, të cilit i pushoi zemra teksa shëtiste në plazh me prindërit. Bashkia e Malagës shpalli tre ditë zie në nder të Julen. Kryebashkiau i qytetit Francisko de la Torre i shprehu ngushëllimet familljarëve për humbjen tragjike./abcnews.al