Një armëpushim në Ukrainë është i pamundur para pranverës dhe aleatët europianë duhet të vazhdojnë mbështetjen për Kievin, pavarësisht skandalit të Korrupsionit në vend.
Këto ishin deklaratat e presidentit finlandez Alexander Stubb në një intervistë për Associated Press.
Muajt e fundit Stubb është bërë një figurë e rëndësishme në negociatat për fundin e luftës në Europën Lindore dhe ka marë pjesë edhe në bisedimet në Uashington me homologët europianë.
Ai theksoi se Europa do të ketë nevojë për “sisu”, një fjalë finlandeze që do të thotë qëndresë, rezistencë dhe vendosmëri, për të kaluar muajt e dimrit, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj hibride dhe luftën e informacionit në të gjithë kontinentin.
“Nuk jam shumë optimist për arritjen e një armëpushimi apo fillimin e negociatave për paqe, të paktën këtë vit. Ndoshta nëse arrijmë diçka deri në shkurt-mars, kjo do të ishte mirë. Me luftën hibride, problemi është se nuk mund ta ndalosh kurrë plotësisht sepse është shumë e paparashikueshme. Por mendoj se ka edhe një element tjetër dhe këtu mendoj se hyn në lojë ‘sisu’ ose qetësia finlandeze”
Si udhëheqës i një prej vendeve më të vogla të Evropës, por që ndan një kufi prej 1,340 me Rusinë, ai është shumë i vetëdijshëm për atë që është në lojë.
Në vitet 1940, pas dy luftërave me Rusinë, Finlanda humbi rreth 10% të territorit të saj ndaj Moskës dhe pranoi të bëhej ushtarakisht neutrale, një qëndrim që u përmbys vetëm pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, kur finlandezët iu bashkuan NATO.
Stubb shfrytëzon marrëdhënien e tij të mirë me Trump për të argumentuar në mbrojtje të Ukrainës.
Presidenti i vendit nordik theksoi gjithashtu se Zelensky duhet të merret shpejt me akuzat për ryshfete dhe korrupsion, pasi skandali shkon në favor të Rusisë. Megjithatë, ai u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të shqyrtojnë rritjen e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin./abcnews.al

