“Nuk jeni për këtë punë”, qytetari e “shkund”, Klosi: Avash se ka rrëmujë, po ti ça xhiron?

schedule16:49 - 4 Prill, 2021

schedule 16:49 - 4 Prill, 2021

Disa qytetarë kanë qenë të irrituar me drejtuesin politik të PS-së Blendi Klosi gjatë një takimi që zhvilloi në Urën Vajgurore në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit.

Ish-sekretari i PD Berat Namir Lapardhaja ka postuar në Facebook një video nga debati në takimin elektoral në Urën Vajgurore, bashki që tashmë do të mbajë emrin Dimal.

E ndërsa Klosi u kërkoi mbështetje për mandatin e tretë, një qytetar i tha se PS-ja nuk ka bërë asgjë dhe duhet të hapë krahun. “8 vite nuk keni bërë asgjë, lërja tjetrit, ju jeni të lodhur totalisht. Nuk jeni më për këtë punë, ka rini plot këtu” i tha qytetari.

Klosi e menaxhoi me qetësi debatin, por në fund, teksa po u kërkonte qytetarëve që të shpërndaheshin me qetësi “avash se ka shumë rrëmujë” i kërkoi llogari operatorit se përse e xhiroi të gjithë skenën. “Hë more ça xhiron një orë, kaq gjatë?!” i tha ministri socialist.

Namir Lapardhaja shkruan se pavarësisht se propaganda paraqet njerëz të lumtur dhe të kënaqur, e vërteta duket qartë në këtë video. “Qytetarët: “po shembemi me taksa…!” Ka një irritim të përgjithshëm të banorëve në takimet publike me kandidatët e PS-së në qarkun e Beratit. Pavarësisht se propaganda paraqet njerëz të lumtur dhe të kënaqur, e vërteta duket qartë në këtë video.

Njerëzit nuk mashtrohen as me ndryshime emri të qytezës së tyre, as me mashtrime për taksa e as me projekte të nisura në prag fushate.  Realiteti që ata prekin përditë është varfëria dhe mjerimi.

Pakënaqësia nuk lidhet me emra të përveçëm, por me një model dështimi dhe arrogance.  Ndaj më 25 prill duhet ndryshim” shkruan demokrati. / db/ Abcnews.al