Donald Trump sa vjen e afrohet më shumë me liderët autoritarë. Pas takimit të fundit me Kim Jong Un, presidenti amerikan ka shfajësuar liderin koreanoverior për vdekjen e një studenti amerikan në burgjet koreane.
Presidenti Donald Trump ka mbrojtur liderin koreanoverior Kim Jong Un në lidhje me rastin e një studenti amerikan që humbi jetën pasi ishte burgosur në vendin aziatik. Në fjalimin e mbajtur në Hanoi pas samitit me Kim, Trump deklaroi se nuk beson se lideri korean ishte në dijeni të përvojës së hidhur të Oto Varmbier.
“Ai më tha se nuk dinte gjë dhe unë e marr si të mirëqenë fjalën e tij”, deklaroi Trump.
Varmbier u arrestua dhe u burgos në Korenë e Veriut në Dhjetor të vitit 2015, teksa vizitonte vendin në kuadër të një turi. Autoritetet në Penian e kthyen 22-vjeçarin në Shtetet e Bashkuara në Korrik të 2017-s në gjendje kome dhe ai ndërroi jetë pak ditë më vonë në një spital të Ohajos.
Rasti i tij bëri që të ngriheshin tensionet në një kohë kur administrata e Trump dhe Korea e Veriut po shkëmbenin replika të ashpra. Por Trump u tha gazetarëve se kur ia kishte përmendur rastin e Varmbier liderit koreanoverior, ai ishte përgjigjur se nuk ishte në dijeni për situatën dhe se i vinte keq për sa kishte ndodhur.
“Fola me të për këtë çështje dhe nuk besoj se ai do ta kishte lejuar një gjë të tillë. Nuk i leverdiste”, tha Trump.
Ai shtoi se vdekja e studentit ishte pasojë e qëndrimit në burg.
“Burgjet janë vende të ashpra dhe në to ndodhin gjëra të këqija”, vijoi Trump.
Ai shtoi se Kim ndihej shumë i keqardhur për sa kishte ndodhur.
“Ai e mori vesh rastin e Varmbier më vonë, sepse në ato lloj burgjesh ka shumë njerëz”, vijoi Trump. Ndërkohë, familja Varmbier vazhdon të pretendojë se djali i saj u vra nga autoritetet koreane./abcnews.al

