Nuk i mbijeton dot traumës, 17-vjeçarja holandeze zgjedh eutanazinë

schedule22:15 - 4 Qershor, 2019

schedule 22:15 - 4 Qershor, 2019

Historia e një vajze nga Holanda ka përlotur mbarë botën. 17-vjeçarja, viktimë e disa dhunimeve seksuale nuk ka mundur t’u rezistojë shqetësimeve mendore që i janë shkaktuar më pas, duke zgjedhur eutanazinë.

Noa Pothoven ishte vetëm 17 vjeç dhe zgjodhi të vdiste në shtëpinë e saj, në kuzhinën e kthyer në një shtrat spitali. Historia e saj vjen nga Arnhemi, Holandë. Me ndihmën e mjekëve të një klinike dhe me të ëmën përkrah, vajza adoleshente iu nënshtrua eutanazisë. Noa ishte ngacmuar seksualisht dy herë, në moshën 11 dhe 12-vjeçare, gjatë dy festave për fëmijë. Më pas, kur ishte 14 vjeç dy burra e kishin sulmuar dhe dhunuar në periferi të qytetit.

Që prej atëherë, vajza vuante nga anoreksia, depresioni, shqetësimet nga stresi post traumatik, që e shoqëruan çdo ditë, aq sa ia bënë të pamundur jetën. Prej shumë kohësh kishte zgjedhur heshtjen, duke e mbajtur përbrenda dhimbjen. Por vetëm vitin e kaluar vendosi të fliste, duke denoncuar në polici atë që i kishte ndodhur, me shpresë që agresorët e saj të arrestoheshin. Në një autobiografi me titullin “Të fitosh, apo të mësosh”, Noa ishte përpjekur të tregonte betejën e saj me problemet mendore, për t’u ardhur në ndihmë vajzave të tjera si ajo, duke qenë se në Holandë nuk ekzistojnë klinika të specializuara për këto lloj problemesh.

Ndërsa vetëm në dhjetor u bëri të ditur mediave holandeze se kishte kontaktuar një klinikë në Hagë për t’i dhënë fund jetës, pa konsensusin e prindërve. Në mesazhin e saj të fundit në Instagram, 17-vjeçarja shkroi: “Pas vitesh të tëra betejë, lufta ka mbaruar. Maksimumi brenda 10 ditësh do të vdes”. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!