Nuk është skleroza (dhe as Ilir Meta) problemi

schedule10:34 - 24 Prill, 2023

schedule 10:34 - 24 Prill, 2023

Nga Skender Minxhozi

Mediat dhe zyrtarë të Partisë Socialiste janë marrë 24 orët e fundit me një lapsus të dyfishtë kujtese të Sali Berishës, teksa prezantonte kandidatët në Kavajë dhe Përmet. Sipas kodit të pashkruar të fushatave elektorale, ku çdo gabim i kundërshtarit është një shans për përfitim dhe kredit votash, edhe fakti që Berisha s’ka mbajtur mend emrat e kandidatëve në fjalë në takimet publike në këto dy qytete, është shfrytëzuar menjëherë nga maxhoranca me batuta talljeje e ironinë e rradhës.

Doktorit i kanë kujtuar jo vetëm moshën, por edhe faktin se sipas akuzuesve, këto janë kandidatura të sponsorizuara nga Ilir Meta, e për pasojë ish-kryeministri 78 vjeçar nuk u njeh as emrat.

Të dyja, edhe mosha e shtyrë, edhe fakti se janë kandidatë të gjetur dhe ofruar nga aleati elektoral, janë me gjasë arsye që qëndrojnë realisht pas harresave të Doktorit. Megjithatë Berisha nuk është një person i sklerotizuar. Përkundrazi, ai është një politikan që rrezaton një energji që nuk e ka shumëkush nga brezi i tij biologjik. Vetëm se bëhet fjalë për energji negative dhe që çon prej 30 vjetësh drejt destruktivizmit e konfrontimit.

Sali Berisha nuk është politikisht i dëmshëm si një lider i sklerotizuar e harraq. E kundërta është e vërtetë. Ai është një rrezik politik në kohën që jetojmë, për shkak se nuk ka harruar asgjë nga stili i tij personal që e futi Shqipërinë herë tek kriza e piramidave mashtruese, e herë në kaos total si në ’97 apo edhe në gjakderdhje në dyert e zyrave të shtetit vite më vonë.

Një Berishë që do të harronte diçka nga trashëgimia dhe linja politike që përfaqëson ndoshta do të ishte pak më njerëzor e pozitiv në raport me shqiptarët që presin të marrë fund vazhda e gjatë e kulturës së dhunës politike që ky lider politik themeloi dhe e mbarti me vete në krah nga vitet ’90, e deri në ditët tona. Një politikan i tillë do të demostronte vullnet për vetëkorigjim dhe reflektim. Berisha ka faj pse nuk harron asgjë nga lista e huqeve negative që i imponoi këtij vendi me pushtetin e tij të gjatë e të dhunshëm, e jo sepse i selekton, i hed poshtë apo ndjehet keq për to.

Është insistimi maniakal në kordinatat e veta politike, e jo harresa lozonjare dhe e pafajshme, faji qëndror për të cilin Sali Berisha duhet mbajtur larg pushtetit në vitin 2023 e më tej. Është kompleksi i veseve të tij politike që kanë bërë shkollë në një pjesë të spektrit politik, me politikanë të rinj që e kopjojnë deri në detaje, problemi real që ka ky lider politik me të shkuarën dhe harresën si një melhem i asaj që është bërë gabim e mund të ndreqet.

Harresa e dy emrave në Përmet e Kavajë është një dekor humoristik i fushatës, por natyrisht që kjo nuk do të provokojë ndonjë brerje ndërgjegjeje tek autori. Ai ka zbritur në fushatë në emër të së shkuarës, madje më saktë në emër të mos-harresës së asgjëje nga e shkuara, të cilën e përjeton si meritë dhe dekoratë në gjoks, e jo si kompleks faji.

Ky është problemi i vërtetë për të cilin Berisha nuk duhet lënë t’i afrohet pushtetit, e jo emrat e dy kandidatëve që me ose pa “sklerozën” e Doktorit, do të gjejnë fatin e tyre në 14 maj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!