Marco Materazzi, ish-mbrojtësi i Interit dhe Italisë, mbrëmjen e djeshme nuk i është shmangur një bisede “live” me Nicolò De Devitiis të “Iene”. Sigurisht foli për të disatën herë për incidentin me Zinedine Zidane, në finalen e Kupës së botës në vitin 2006 dhe përgjigja është ajo që e dinë të gjithë: “Më tha që do ta jap fanellën pas ndeshjes dhe i thashë që preferoj motrën tënde”.
Kaq mjaftoi që Zidane ta godiste me kokë Materazzin, i cili në fund festoi titullin kampion bote. Ai ka zbuluar edhe një tjetër detaj në lidhje me një lojtar si Andrea Pirlo, i cili u duket të gjithëve si shumë i urtë. Ish-mbrojtësi tregon se ai nuk është ashtu si duket.
“Të gjithë mendojnë se ai është si ai lumi i qetë, por ai është shumë dinak dhe i lig. Gjithmonë e ka batutën gati. Ju nuk e prisni prej tij, por ashtu është. Ai bënte shaka me të gjithë, por më shumë nga të gjithë me Gattuson. Sa grushte merrte prej tij…”, shton me shaka Materazzi.
Mes të tjerash ai ka folur edhe për koret kundër lojtarëve në stadiume. “ Në çdo stadium që kam shkuar kanë kënduar kundër meje. Ndërsa tani janë të gjithë moralistë, gjykatësit sportivë nuk kuptojnë asgjë, nuk e kanë idenë fare”.
“Thirrjet ‘buuu’ kundër Balotelli? Nuk është një formë racizmi, ata përpiqen të mos i lënë kundërshtarët të luajnë mirë. E bëjnë sepse kanë frikë prej teje. Ka gjyqtarë që duan të duken të bukur, duke vendosur gjoba dhe duke mbyllur tribunat, por në fund për ccfarë shërbejnë?”, përfundon Materazzi. /abcnews.al

