Diego Maradona, legjenda e futbollit botëror dhe argjentinas u nda nga jeta në vitin e shkuar prej një arresti kardiak, duke pikëlluar gjithë globin. Pas kësaj të gjithë e treguan dashurinë për të dhe u kthyen pas të kujtojnë madhështinë e Diegos.
Këtë e bën së fundmi edhe Pablo Aimar, ish-lojtar i Valencias, Benficas, River Plate e kombëtares argjentinase. Ai tregon se Maradona ishte më shumë se superheronjtë e filmave në vitet 1970-80 dhe të gjithë fëmijët kërkonin të bëheshin si ai.
“Diego Maradona ishte frymëzimi më i madh për ne që kemi lindur në vitet 1970-80. Në atë kohë ishin në modë superheronjtë si Spiderman, Batman apo edhe ndonjë tjetër. Por ne nuk donim të bëheshim si ata. Nuk u kërkonim prindërve një kostum të Spiderman.
Ne donim taka dhe fanellën e Maradonës. Donim të ishim ai. Dëshironim të ishim Maradona dhe të ishim ai që ngriti Kupën e Botës në Meksikë 1986. Donim të ishim ai në Italia 1990, duke fyer ata, që kishin fyer himnin tonë. Ky ishte Maradona për të gjithë ne”, tregon Aimar. /abcnews.al