Nuk do të ketë një dalje të hijshme nga pandemia e Covid-19

schedule12:04 - 19 Prill, 2021

schedule 12:04 - 19 Prill, 2021

Nga Mathew Burrows and Barry Pavel, CNN

Përhapja e vaksinave u ka dhënë amerikanëve shpresë se fundi i pandemisë është shumë afër. Por edhe me shpërndarjen e vaksinave po bëhet  gjithnjë e më e qartë se nuk do të ketë dalje të hijshme nga pandemia, e cila ka shkaktuar konflikte shoqërore, rritjen e papunësisë dhe të pabarazisë, për të mos përmendur faktin se më shumë se 560,000 persona kanë humbur jetën  në Shtetet e Bashkuara.

Bota gjithashtu po përballet me mundësinë e tmerrshme që Covid-19 të bëhet një sëmundje endemike, si gripi.

Por ka 3 skenarë të mundshëm se si do të evoluojë pandemia- të gjitha këto skenare   paraqesin probleme shqetësuese të pabarazisë që me gjasë do të jenë për vite mes nesh. Skenarët nuk janë parashikime, por ato janë mjete të dobishme për të na ndihmuar të përballemi me mundësi të ndryshme dhe për të shpresuar në lehtësimin e pasojave të mundshme.

Në skenarin e parë, vetëm një pakicë e vogël globale mund të vaksinohet në mënyrë efektive. Ky grup me fat –gjithashtu gëzon luksin e marrjes së dozave  vjetore përforcuese për t’i mbrojtur nga variantet e reja të koronavirusit.

Ndërkohë, kapaciteti i prodhimit të vaksinave do të jetë i kufizuar për të paktën një ose dy vite dhe shpërndarja globale e ngadaltë. Nacionalizmi i vaksinave është përhapur në nivel global.

Ndërsa SHBA ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit në botë, pakicat në vend janë lënë pothuajse pas dore. Kur bëhet fjalë për popullsinë globale, mund të duhen dy ose më shumë vite që njerëzit në vendet me të ardhura më të ulëta të vaksinohen.

Ndërsa  certifikatat e vaksinimit që qeveritë e Bashkimit Europian, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të miratojnë mund t’i japin një nxitje industrisë së udhëtimeve, ato gjithashtu mund të thellojnë  pabarazitë nëse bëhen të detyrueshme për udhëtime ndërkombëtare ose të brendshme.

Në këtë skenar, mbrojtja e pjesës tjetër të popullsisë së botës ndaj koronavirusit do të mbetet një sfidë e madhe. Për të shmangur këtë, duhet të bëhet një përpjekje e veçantë për të vaksinuar grupet në disavantazh si në vendet e përparuara ashtu edhe në vendet në zhvillim.

Në skenarin e dytë – shumë vende nuk do  të mund të eliminojnë pandeminë pasi shkalla e infeksionit tejkalon normën e vaksinimit. Këto vende do të zhyten në krizë, do të jenë të  paafta për të rigjallëruar ekonomitë dhe shoqëritë e tyre në dritën e shpërthimeve të përsëritura dhe bllokimeve të përhershme.

Ndërkohë, vendet e tjera që kanë eliminuar virusin  përmes vaksinimeve masive do të jenë të suksesshëm në  ringjalljen e vendit. Për shkak të Covid-19, rreth 119 deri 124 milion njerëz kanë vuajtur nga varfëria ekstreme në 2020, rritja më e madhe e varfërisë në rang global që nga viti 1998, sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave në të gjithë botën mund të përkeqësojë më tepër varfërinë dhe paqëndrueshmërinë duke rritur terrorizmin dhe krimin e organizuar. Perëndimi ka injoruar  gjendjen e këtyre vendeve ndërsa Kina dhe Rusia mund të zgjerojnë ndikimin e tyre në botën në zhvillim përmes diplomacisë së vaksinave.

Në skenarin e tretë -shumica e njerëzve, madje edhe ata që kanë marrë vaksinat aktuale, mund të infektohen përsëri nga variantet e reja që janë më ngjitës dhe vdekjeprurës.

Me variantet e Britanisë, Afrikës së Jugut dhe Brazilit që  tashmë po sfidojnë shumicën e vendeve, bota duhet të përgatitet për rritje të rasteve. Administrata e Ushqimit dhe Barnave tashmë po planifikon gjurmimin e shpejtë. Por kjo do të jetë e vështirë.

Në varësi të ashpërsisë dhe shpejtësisë së përhapjes së infeksioneve dhe varianteve të reja, rimëkëmbja ekonomike e parashikuar për shumicën e vendeve perëndimore deri në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022, sipas këtij skenari do të kenë vonesa.

Rreth 30% e amerikanëve nuk duan të vaksinohen, sipas një sondazhi të PBS NewsHour / NPR / Marist. Ndërkohë, komuniteti shëndetësor duhet të rrisë përpjekjet ekzistuese për të zhvilluar një vaksinë universale kundër të gjithë varianteve.

Por Covid-19 mund të  ketë një ndikim të qëndrueshëm në botë. Pandemia ka përkeqësuar pabarazitë racore, etnike dhe klasore që ekzistojnë prej kohësh në SHBA. Globalisht, ekziston rreziku serioz i një hendeku të përhershëm dhe në zgjerim midis ekonomive dhe botës në zhvillim, raporton abcnews.al

Ndikimi i Perëndimit mund të eklipsohet nga Kina dhe Rusia në rajonet më të rëndësishme nëse nuk tregon vendosmëri për të luftuar pandeminë në të gjithë botën. Dhe nëse nuk arrijmë imunitetin global të tufës, variantet mund të shkaktojnë valë të reja.

Covid-19 është një kërcënim që nuk njeh kufij dhe SHBA është i vetmi vend me kapacitet dhe ndikim për të udhëhequr botën në zhdukjen e kësaj pandemie historike. Nga të gjitha dozat e vaksinave që janë administruar deri më tani, shumica dërrmuese janë dërguar në vendet më të pasura të botës. Kjo duhet të ndryshojë dhe shumë shpejt madje.

Administrata e Biden ka ndërmarrë hapa fillestarë për të mbyllur hendekun e vaksinave globale duke i dhuruar vaksina Meksikës dhe Kanadasë dhe duke premtuar 2 miliardë dollarë në programin COVAX.

Iniciativa e njoftuar së fundmi midis vendeve Quad – SHBA, Australi, Japoni dhe Indi – për shpërndarjen e vaksinave në vendet në zhvillim në Indo-Paqësor mund të shënojë mbylljen e hendekut midis vendeve më të pasura dhe të varfra. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al