“Nuk do ta poshtërojmë Rusinë”, Zelensky kritikon Macronin për deklaratën

schedule15:51 - 7 Qershor, 2022

schedule 15:51 - 7 Qershor, 2022

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se çdo luftë duhet të përfundojë në tryezën e bisedimeve dhe pozicioni për fitoren duhet të arrihet në fushën e betejës.

Në një intervistë për Financial Times, ai pranoi se: “rivendosja e kufijve që ne kontrollonim para 24 shkurtit, mund të konsiderohet një fitore serioze e përkohshme”.

Por ai këmbënguli se kjo është një luftë për pavarësi. “Pavarësia për mendimin tim, dhe për mendimin e shumicës së popullit tonë, është rifitimi i të gjitha territoreve tona, rivendosja e të gjithë integritetit tonë territorial dhe sovranitetit të pacenueshëm të Ukrainës”, tha Zelensky. “Ne kemi humbur tashmë shumë njerëz për të lënë territorin tonë,” theksoi presidenti.

Ai kritikoi ashpër presidentin francez Emmanuel Macron lidhur me komentet e fundit që ai bëri se “ne nuk do ta poshtërojmë Rusinë”.

“Disa njerëz duan të jenë udhëheqës. Për të qenë një lider, nuk duhet ta konsideroni veten të tillë, por të silleni si lider”, tha Zelensky. “Si mund të arrijmë një armëpushim në territorin e Ukrainës pa dëgjuar pozicionin e vendit dhe pa dëgjuar pozicionin e liderit të këtij vendi? Kjo është shumë, shumë befasuese.”

Në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin më 28 maj, liderët e Francës dhe Gjermanisë ripërsëritën kërkesën e tyre për një armëpushim dhe i bënë thirrje Putinit që të kishte një komunikim të drejtpërdrejtë me Zelensky.

Në një intervistë të botuar të shtunën, presidenti francez tha: “Ne nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë, në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalojnë, të mund të ndërtojmë një platformë daljeje me mjete diplomatike. Jam i bindur se roli i Francës është të jetë një fuqi ndërmjetëse.”

“Ne nuk do të poshtërojmë askënd. Do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha Zelensky për këtë deklaratë të homologut të tij francez. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!