Sot në emisionin “ABC e Mëngjesit”, e ftuar ishte Ada Kibja, infermierja shqiptare që prej shtatë vitesh jeton dhe punon në Gjermani, në repartin e kardiologjisë. E njohur në rrjetet sociale për rrëfimet e saj të sinqerta dhe emocionuese nga jeta në spital, Ada solli një tjetër dimension të profesionit të saj, human dhe frymëzues njëkohësisht.
Me qetësi dhe sinqeritet, Ada ndau me publikun disa nga eksperiencat më të forta që ka përjetuar si infermiere. Një nga rastet që preku më shumë ishte ai i një pacienteje 32-vjeçare, e cila ndërroi jetë ndërsa Ada dhe kolegët po luftonin për ta shpëtuar.
“I ra telefoni, ishte bashkëshorti i saj. Pashë foton familjare në ekran dhe mu thye zemra”, tregoi ajo me emocion.
Në intervistë u përmend edhe një nga temat që Ada ka trajtuar në rrjetet e saj sociale: aroma e pazakontë që ndonjëherë lëshon trupi i njeriut në prag të vdekjes. Ajo shpjegoi se bëhet fjalë për një substancë të quajtur dimetil-trisulfid, e cila mund të sinjalizojë dëmtime të rënda të organeve të brendshme gjatë infeksioneve të avancuara. “Është e rëndë të ndjesh aromën e vdekjes. Ndikon shumë edhe emocionalisht”, tha Ada.
Por jeta e saj nuk ka qenë pa sfida personale. Ajo foli hapur për përvojën e vështirë me depresionin pas lindjes dhe vështirësitë gjatë shtatzënisë.
“E doja fëmijën tim, e kisha dashur gjithmonë dhe mezi e kisha pritur, por nuk doja të isha më shtatzënë. U diagnostikova me depresion shtatzanie dhe e pabesueshmja ishte që po më ndodhte mua me natyren sociale që kam dhe që fëmijën e doja shumë. Doja të mbaronte ajo periudhë sa më shpejt. Por bashkëshorti më qëndroi pranë, madje ishte edhe në sallën e lindjes”, tha Ada.
Pas lindjes, humbi 13 kilogramë në muajin e parë, dhe me disiplinë nisi një regjim të ri jetese: “Kam bërë fasting, 15 minuta ushtrime çdo ditë, dhe kam hequr dorë nga ëmbëlsirat dhe ushqimet e konservuara.”/abcnews.al

